Sport

Ralf Rangnick kërkon një mesfushor, Neves i pari në listë


Ruben Neves është shfaqur si emri kryesorë në listën e kërkesave për një mesfushor nga trajneri i Manchester United, Ralf Rangnick.

Trajneri i përkohshëm, i cili aventurën te United do ta vazhdojë si drejtor sportiv, kërkon që menjëherë të bëj nënshkrime, qysh në janar.

Një nga prioritetet e tij është një mesfushor me tipare defanzive – diçka që klubi nuk e bëri gjatë kohës së Ole Gunnar Solskjaer.

Një nga emrat me të cilët United është lidhur, është Amadou Haidara i Leipzig.

Ky i fundit ishte një kohë nën shërbimet e 63-vjeçarit gjatë kohës së tij në Gjermani.

Ylli i Monaco-s, Aurelien Tchouameni është poashtu në listën e gjermanit.

Mirëpo, emri i fundit dhe synimi kryesorë i Rangnick, është mesfushori portugez i Wolverhampton, Ruben Neves.

Neves ka qenë dhe mbetet një ndër lojtarët kryesorë të ujqërve, duke e udhëhequr klubin në disa prej viteve të tyre më të mira.

Kriza financiare e klubit nga Midland, ka shtyrë shumë futbollistë nga dera e pasme, dhe Neves mund të jetë i radhës.

Arsenal, Tottenham, Liverpool dhe Chelsea poashtu janë të interesuar për shërbimet e 24-vjeçarit, por Manchester United është në pole-position.

Neves nuk do t’i kushtonte United-it shumë, dhe do të ishte një futbollistë i cili i përshtatet shumë stilit të gjermanit.

United e kërkon në janar, dhe kur kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri në hapjen e merkatos dimërore, shumë shpejt do të kuptohet se ku do ta shpenzojë gjysmën tjetër të sezonit portugezi Neves.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore