Lajme

Qeveria e Kosovës dërgon komente në ZRRE, Murati: Pragu i ngritjes së çmimit të rrymës të jetë mbi 1 mijë kWh


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media ka prezantuar disa nga komentet që dikasteri të cilën ai e drejton ka dërguar në drejtim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ku njëra prej tyre është që ngritja e çmimit të energjisë elektrike të mos aplikohet për ata që shpenzojnë deri në 1 mijë kilovatë orë.

Kjo 1 mijë kilovatë orë sipas Muratit do të jetë i ndarë në 500 kilovatë orë gjatë ditës dhe 500 kilovatë orë gjatë natës.

“Për ata familje që nuk e tejkalojnë këtë prag nuk do të ketë farë ekspozim ndaj rritjeve në çmim”, ka thënë Murati

Ndërsa për ata që e tejkalojnë këtë prag propozimi Ministrisë së Financave është që edhe kur tarifa e lartë kalohet mbi 500 kilovatë orë çmimi i saj të ulet nga 14 centë në 11 centë e gjysmë, pra që edhe këtu të ketë një zbritje.

“Meqenëse konsiderojmë se për një afat kaq të shkurtër është e vështirë për familjet të përshtaten menjëherë dhe për 1 mijë kilovatë orët çmimi të mbetet i pa ndryshuar”, ka shtuar ai.

Ai madje ka propozuar për një ulje të konsumit të energjisë elektrike në amvisëri prej pesë për qind e cila sipas tij do të rezultonte me më pak import të rrymës.

“Kemi identifikuar afërsisht 22 milionë euro kursime për sa i përket hyrave maksimale të lejuara dhe kjo ka të bëjë me supozimin se për shkak të ndryshimit tarifor për shkak të masava nxitëse që do ti kemi si qeveri për kursim të energjisë elektrike mund të supozohet se një pjesë e konsumit mund të zvogëlohet dhe një ulje prej 5 për qind rezulton me më pak import prej rreth 18 milionë euro”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore