Lajme

Pse po e shfaq bazën sekrete të dronëve Irani?


Gjatë fundjavës, mediat iraniane kanë pretenduar zbulimin e një baze “sekrete” iraniane të dronëve.

Vendndodhja nuk dihet. “Qyteti i dronëve” portretizohet si një kompleks që strehon shumë drone, të cilët janë pjesë e programit të ri të Iranit të dronëve.

Tani, dronët janë të pajisur me armë më të avancuara.

Raportimet, lidhur me bazën sekrete, fokusohen kryesisht në video dhe foto të bazës që Irani ka shfaqur.

I vendosur në male, objekti përfshin një bunker nëntokësor që është mjaft i madh, i cili është i organizuar në mënyrë që dronët të mund të zhvendosen brenda dhe jashtë tij.

Referuar raportimeve mediatike, udhëtimi në vend filloi në Kermanshah në pjesën perëndimore të Iranit dhe se baza mund të mos jetë atje, por diku në male.

Sakaq, zbulimi vjen disa ditë pas lajmeve se një dron është përdorur për të goditur një zonë ushtarake në Parchin në Iran.

Po ashtu vjen një javë pas vrasjes së një oficeri iranian, i cili ishte i përfshirë në komplote kundër Izraelit.

Teherani dëshiron t’i tregojë pajisjet ushtarake të nivelit të lartë për të reklamuar se, pavarësisht humbjeve, vazhdon t’i zhvillojë dronët që mund të kërcënojnë rajonin.

Kohët e fundit, Republika Islamike është akuzuar për përdorimin e dronëve në rajon. Ajo e ka eksportuar teknologjinë në Houthis, Jemen dhe në Hamas në Gaza.

Gjithashtu edhe në Siri, milicitë me bazë në Irak dhe Hezbollah.

Kjo u ka mundësuar të gjitha këtyre grupeve të ndërtojnë një arsenal dronësh.

Dronët e Iranit

Tal Inbar, ekspert për dronët dhe raketat, ka ekzaminuar disa nga fotot në Twitter.

Ai ka vënë në dukje se në një foto shfaqet një dron iranian me një radar, ndërsa një tjetër tregon një raketë ajrore pranë një droni.

Irani po përpiqet të pretendojë se dronët mund të mbajnë raketa dhe lloje të ndryshme mjetesh që përdoren për vëzhgim, radar ose shënjestrim.

Por ka pyetje nëse e gjithë kjo teknologji funksionon dhe nëse është operacionale apo e provuar, apo nëse Irani ka bërë modele të sofistikuara të asaj se si duhet të duken dronët dhe çfarë mund të mbajnë si armatim.

Është e vështirë që dronët e armatosur të funksionojnë mirë.

Gjithashtu është e vështirë t’u japësh atyre diapazon të mjaftueshëm dhe aftësi komunikimi.

Edhe pse Irani ka treguar ekspertizë duke përdorur dronë për të sulmuar Arabinë Saudite në vitin 2019, nuk është e qartë se sa ngjajnë me teknologjinë që përdoret nga SHBA-të dhe Izraeli, Turqia, Kina apo vende të tjera që përdorin mjete ajrore pa pilot.

Për këtë bazë sekrete, qëllimi i Iranit është të tregojë se po vazhdon të zhvillojë sisteme armësh që mund të kërcënojnë rajonin.

Pastaj, nëse të gjitha sistemet bëjnë atë që Teherani thotë se mund të bëjnë, është një tjetër çështje.

Marrë nga “The Jerusalem Post”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore