Shqipëria

PS/ Asamble dhe Rama 3


Partia Socialiste do të mbledhë zyrtarisht Asamblenë Kombëtare, nga ku mendohet se do të prezantohet për herë të parë zyrtarisht edhe Qeveria e re Rama 3, e paralajmëruar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, javën e shkuar.

Më 2 qershor 2021, socialistët mblodhën Asamblenë e Përgjithshme të partisë së tyre, në 30-vjetorin e partisë.

Tashmë, saktësisht tre muaj më pas, mblidhet Asambleja Kombëtare

Takimi pritet të nisë me fjalën e kryeministrit Rama. Më tej, do të vijohet me zgjedhjen e kryesisë së re, drejtuesve politikë në qarqe dhe sekretariatit ekzekutiv të partisë.

Surpriza të mëdha nuk pritet të ketë, pasi që më herët, Rama ka konfirmuar faktin se Taulant Balla, do të mbetet në detyrën aktuale, pra atë të Sekretarit të Përgjithshëm të partisë dhe kryetarit të Grupit Parlamentar socialist.

Hapësira e errët, është ajo e Qeverisë së re, ku asnjë detaj nuk është bërë me dije nga asnjë burim pranë Kryeministrisë apo Partisë.

E vetmja e konfirmuar nga Rama është Elisa Spiropali. Ajo do të vijojë të krye të Ministrisë pa portofol, atë të Marrëdhënieve me Parlamentin.

Gjithsesi, një bilanc është bërë më 25 gusht nga Rama, në mbledhjen e fundit të Qeverisë. Ndër fjalë përshëndetëse e bilance, ai ka dhenë edhe vlerësimet për ministrat e kabinetit të tij të dytë.

Kështu, ata me pozita më të qëndrueshme, duket të jenë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku si edhe ai i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Turizmi ishte sektori më i kritikuar nga Rama. Për këtë arsye, mendohet se Blendi Klosi, nuk do të jetë më pjesë e Qeverisë. Ose të paktën, jo më në të njëjtin dikaster.

Arsimi po ashtu nuk ka qenë ndër performancat më të lëvduara. Ndërsa ndryshime, priten edhe tek Bujqësia, Ekonomia apo Kultura.

Thënë kjo, mund të ketë edhe një ristrukturim të Ministrive

Nga kabineti i parë tek i dytë, pati një ndryshim me dy ministri më shumë. Por, pavarësisht kësaj, tre prej ministrive në Rama 2, ishin pa portofol. Ndërsa për shkak të emergjencës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e COVID-19, u ngjiz edhe Ministria e përkohshme për Rindërtimin.

Nuk dihet ende nëse do të ketë një shkrirje apo ndarje të Ministrive. Por, bazuar në diskursin e Ramën më 25 gusht, gjithçka është lënë e hapur.

Ajo çfarë mbetet për t’u bërë, është pritja e shpalljes zyrtare dhe nisja e ciklit të ri politik të kryeministrit, tashmë në mandatin e tretë radhazi qeverisës, si asnjëherë më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore