Bota

Provinca e fundit që po u reziston talebanëve


Lugina Panjshir është provinca e fundit që po i reziston sundimit të talebanëve në Afganistan.

Forcat talebane dhe luftëtarët besnikë të udhëheqësit lokal Ahmad Massoud luftuan në Panjshir të enjten e 2 shtatorit.

Secila palë korri pretendimet e saj për përfitimet territoriale.

“Ne filluam operacionet, pasi negociatat me grupin e armatosur lokal dështuan”, deklaroi zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid.

Sipas Mujahid-it, talebanët kishin hyrë në Panjshir dhe kishin marrë kontrollin e një territori të saj.

Një zëdhënës i grupit rebel të Frontit Kombëtar të Rezistencës së Afganistanit (NRFA) tha se kishte kontroll të plotë mbi të gjitha kalimet dhe hyrjet.

Sipas deklaratës së tij, talebanët dështuan në përpjekjet e tyre për të marrë rrethin Shotul.

“Armiku bëri përpjekje të shumta për të hyrë në Shotul nga Jabul-Saraj dhe dështoi çdo herë”, tha zëdhënësi.

Panjshir

Lugina Panjshir, në veri të Kabul-it në Hindu Kush, ishte një fortesë e rezistencës për dekada të tëra.

Fillimisht, kundër sovjetikëve në vitet ’80-të, pastaj ndaj talebanëve në vitet ’90-të. Ajo është ende e mbushur me tanke të ndryshkur nga luftimet e atyre dekadave.

Ambasadori i Afganistan-it në Taxhikistan, Zahir Aghbar, më herët premtoi se Panjshir-i do të formonte një bazë për ata që donin të luftonin.

“Panjshir qëndron fuqishëm kundër kujtdo që dëshiron t’i skllavërojë njerëzit”, tha ai.

Që kur talebanët morën Kabul-in më 15 gusht, disa mijëra luftëtarë nga milicitë vendase dhe mbetjet e forcave të armatosura të qeverisë janë grumbulluar në Panjshir nën udhëheqjen e Massoud-it, djalit të një ish-komandanti muxhahidin.

Ata kanë qëndruar në luginën e pjerrët, ku sulmet nga jashtë janë të vështira.

Përpjekjet për të negociuar një zgjidhje duket se kanë dështuar, ku secila palë fajëson palën tjetër për dështimin.

Mujahid tha se shpallja e një qeverie të re ishte pak ditë larg, ndërsa zyrtari taleban, Ahmadullah Muttaqi, tha se një ceremoni po organizohej në pallatin presidencial.

Legjitimiteti i qeverisë në sytë e donatorëve dhe investitorëve ndërkombëtarë do të jetë vendimtar për ekonominë, pasi vendi lufton thatësirën dhe shkatërrimet e një konflikti që vrau rreth 240 mijë afganë.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore