Lajme

Prokuroria thotë se biznesmeni Bedri Rexhepi u vra për 30 mijë euro


Prokurori i rastit në Departamentin në Krimet e Rënda, Armend Hamiti.

Prokurori i rastit në Departamentin në Krimet e Rënda, Armend Hamiti ka njoftuar se është vërtetuar identiteti i viktimës së biznesmenit Bedri Rexhepi që ishte zhdukur në prill të vitit 2021.

“Të hënën, kam informuar familjarët e viktimës se në bazë të të gjeturave antropologjike mjekoligjore, është vërtetuar identiteti i viktimës”.

Përmes një konferencë për media, ai tha se është ngritur aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar Jeton dhe Nexhat Vllasaliu.

“Kam ngritur aktakuzë ndaj dy personave Jeton dhe Nexhat Vllasaliu në drejtim të veprës penale “Vrasje e rëndë me bashkëkryerje” dhe “Dëmtim i kufomës”.

Hamiti, ka sqaruar edhe arsyejen pse dyshohet se është kryer vrasja.

“Sipas hetimit tonë rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material gjegjeshit 30 mijë euro të cilët të akuzuarit kanë besuar se tani i ndjeri Rexhepi i posedon për të cilin kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”.

Hamiti shtoi se, “janë siguruar të gjitha kamerat, ku ka pasur lëvizje viktima”.

Prokurori i rastit në Departamentin në Krimet e Rënda, Armend Hamiti

I pyetur nga gazetarët se pse janë larguar dy persona nga aktakuza, prokurori është shprehur se të njëjtit janë duke u hetuar por me procedurë të veçantë.

“Për dy persona të tjerë, është veçuar procedura dhe janë duke u zhvilluar hetimet në pjesën tjetër. Por për këta që i kemi provat saktë, të mjaftueshme është ngritur aktakuza”.

Kurse, ka sqaruar se për shkak të rastit kanë qenë më të rezervuar për informimin e mediave.

“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit kemi tentuar të jemi sa më konfident ashtu siç e kërkojnë edhe hetimet në mënyrë që të zbulohet se a është i gjallë apo siç ndodhi të zbulohet se ku është trupi i të vdekurit”.

Si u zhduk biznesmeni Bedri Rexhepi?

Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit 2021. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.

Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij.

Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij kishin deklaruar për media se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.

“Ka qenë klient i vëllait, deri në kohën kur është arrestuar ka qenë me veturë të vëllait. Ka qenë i rregullt me pagesa, pak me vonesa, por ka qenë. Për këtë s’kanë pasur ndonjë problem”, pati  deklaruar Adnan Rexhepi.

Ai kishte treguar se vëllai i tij e ka pasur me vete një shumë të parave, por familja nuk e di sa kanë qenë.

Në gusht të vitit 2021 ishte arrestuar edhe S.G, ndaj të cilit gjykata kishte shqiptuar edhe masën e paraburgimit.

Prokuroria më 30 shator 2022 kishte njoftuar se ishin gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), lidhur me rastin e zhdukjes së biznesmenit Rexhepi.

Sipas komunikatë së Prokurorisë, mbetjet mortore i janë nënshtruar ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin.

Prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kishin dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore