Lajme

Prokuroria Speciale e Kosovës shenjëstron edhe një rast të ri me katër persona


Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka shënjestruar një rast të ri për veprat penale ‘’Shpëlarje e parasë’’, ‘’Fajdeja’’, ‘’Detyrimi’’ dhe ‘’Pengim i të privuarit apo procedurës zyrtare’’.

Në këtë rast janë të përfshirë katër persona, njofton prokuroria, “tre prej tyre janë në paraburgim”.

“Ndërkaq, sa i përket hetimeve financiare, rasti është hetuar paralelisht dhe ditën e operacionit është arritur të ngrihen llogaritë bankare të të dyshuarve dhe familjarëve të ngushtë”, thuhet në njoftimin publik të prokurorisë speciale.

“Në llogaritë e tyre rrjedhëse dhe të afatizuara janë ngrirë gjithsej: 2,131,223.31 euro dhe  878,632.47 franga zvicerane”.

Gjatë hetimeve për këtë rast, prokuroria bën të ditur se ka identifikuar edhe prona e patundshmëri, ku me urdhër të Gjykatës janë ngrirë 16 parcela.

Para 9 ditësh, Prokuroria Speciale njoftoi se kishte shënjestruar dy raste të krimeve të rënda me 47 persona të përfshirë në të.

Çka janë rastet e shënjestruara?

“Rastet e shënjestruara” janë raste që kanë qenë si kusht për të pasur drejtësi më efikase te rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka thënë Skënder Musa, avokat, në një prononcim për Albanian Post.

Shënjestrimi i rasteve (track-records) ka qenë kërkesë e Bashkimit Evropian, për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Kjo ka qenë edhe një lloj kushti që asnjë vend në Evropë nuk e ka pas, përveç Kosovës. Gjithmonë ka qenë kusht diskriminues dhe paragjykues për palë të caktuara dhe raste të caktuara. Mirëpo tash nuk mund të thirret Prokuroria Speciale se ka lëndë të shënjestruara dhe të pa-shënjestruara sepse, krimi nëse është kryer është i njëjtë për të gjitha lëndët dhe të gjitha ato kanë të drejtë trajtohen njëjtë para ligjit dhe para gjykatave dhe prokurorive”. ka thënë avokati Musa.

Por, tani ka ardhur koha që kjo “formë e presionit”, sic thotë avokati Musa, të ndërpritet.

“Në bazë të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Kodit të Procedurës Penale, nuk parashihet të përdoret “shënjestrohet” dhe vet emërimi i disa lëndëve me prioritet se lëndët e tjera, paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, për palët, ose të akuzuarit në këto raste e pastaj edhe për vetë personat në qoftë së akuzohen apriori apo konsiderohen si fajtorë”.

“Mund të them se Gjykatat, departamenti special, në Kosovës, është duke i trajtuar mirë këto lëndë, nuk po bën dallime të atyre termeve të Prokurorisë Speciale dhe kërkesës nga faktori ndërkombëtare sepse Kodi i Procedurës Penale, Kushtetuta e Kosovës, dhe Konventa Evropiane për të Drejta të Njeriut, ndalojnë çdo diskriminim dhe çdo dallim në mes të qytetarëve të një vendi, në këtë rast të Republikës së Kosovës me lëndë të shënjestruara dhe lëndë të pa-shënjestruara. I ka humb kuptimi këtyre lëndëve”, përfundon Musa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore