Lajme

Prokuroria Speciale e Kosovës shënjestron dy raste të krimeve të rënda, 47 persona të përfshirë


Prokuroria Speciale e Kosovës

Nën dyshimin se kanë kryer veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit’’ “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, “Shmangie nga tatimi” si dhe “Mashtrim  në prokurim publik”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka shënjestruar  dy raste në të cilën janë të përfshirë 47 persona.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka thënë për Albanian post se bëhet fjalë për dy raste.

“Në rastin e parë janë të përfshirë njëzetetre (23) persona për veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit’’ “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, ka thënë Lutfiu.

Përveç identifikimit të këtyre 23 personave, prokuroria ka sekuestruar asete dhe mjete monetare, ka ngrirje afatgjate për prona të paluajtshme dhe xhirollogarive bankare.

“Janë sekuestruar shtatë banesa dhe tokë bujqësore/ parcele 10,591 m2, ngrirje të xhirollogarisë bankare me vlerë monetare 186,861.75 euro. Janë sekuestruar katër vetura të markave të ndryshme dhe janë sekuestruar pasuri të luajtshme me vlere, si dhe para të sekuestruara kesh”, ka shpjeguar ai.

Ndërsa në rastin e dytë të shënjestruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, janë arrestuar 24 persona të përfshirë në vepra të ndryshme penale si “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, “Shmangie nga tatimi” si dhe “Mashtrim  në prokurim publik”.​

Çka janë rastet e shënjestruara?

“Rastet e shënjestruara” janë raste që kanë qenë si kusht për të pasur drejtësi më efikase te rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka thënë Skënder Musa, avokat, në një prononcim për Albanian Post.

Shënjestrimi i rasteve (track-records) ka qenë kërkesë e Bashkimit Evropian, për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Kjo ka qenë edhe një lloj kushti që asnjë vend në Evropë nuk e ka pas, përveç Kosovës. Gjithmonë ka qenë kusht diskriminues dhe paragjykues për palë të caktuara dhe raste të caktuara. Mirëpo tash nuk mund të thirret Prokuroria Speciale se ka lëndë të shënjestruara dhe të pa-shënjestruara sepse, krimi nëse është kryer është i njëjtë për të gjitha lëndët dhe të gjitha ato kanë të drejtë trajtohen njëjtë para ligjit dhe para gjykatave dhe prokurorive”. ka thënë avokati Musa.

Por, tani ka ardhur koha që kjo “formë e presionit”, sic thotë avokati Musa, të ndërpritet.

“Në bazë të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Kodit të Procedurës Penale, nuk parashihet të përdoret “shënjestrohet” dhe vet emërimi i disa lëndëve me prioritet se lëndët e tjera, paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, për palët, ose të akuzuarit në këto raste e pastaj edhe për vetë personat në qoftë së akuzohen apriori apo konsiderohen si fajtorë”.

“Mund të them se Gjykatat, departamenti special, në Kosovës, është duke i trajtuar mirë këto lëndë, nuk po bën dallime të atyre termeve të Prokurorisë Speciale dhe kërkesës nga faktori ndërkombëtare sepse Kodi i Procedurës Penale, Kushtetuta e Kosovës, dhe Konventa Evropiane për të Drejta të Njeriut, ndalojnë çdo diskriminim dhe çdo dallim në mes të qytetarëve të një vendi, në këtë rast të Republikës së Kosovës me lëndë të shënjestruara dhe lëndë të pa-shënjestruara. I ka humb kuptimi këtyre lëndëve”, përfundon Musa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore