Lajme

Prokuroria në Serbi do t’i kërkojë ShBA-së prova për rastin e Vulinit


Aleksander Vulin

Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar në Serbi ka njoftuar se do të kërkojë informacion shtesë, si nga institucionet serbe, ashtu edhe nga ato gjyqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe nga vendet e tjera ndërkombëtare, si dhe do të kërkojë dorëzimin e provave konkrete në lidhje me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili para disa ditëve është sanksionuar nga Departamenti amerikan i Thesarit.

Ky institucion theksoi se gjatë kohës sa Vulin ishte Ministër i Punëve të Brendshme dhe tani drejtor i BIA-s, “institucionet ligjzbatuese kanë bashkëpunuar dhe me sukses kanë zbuluar disa raste të krimit të organizuar, krimit të organizuar transnacional”, dhe siç thotë prokuroria serbe “zbulimi i këtyre rasteve u bë në bashkëpunim ndërkombëtar”.

“Gjatë punës në këto raste, si dhe në raste të tjera të kësaj prokurorie, asnjë institucion ndërkombëtar policor apo gjyqësor, si dhe asnjë institucion vendor, nuk ka konstatuar se Vulin është përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal”, pohoi prokuroria serbe, transmetojnë mediat serbe.

Ndërsa, bëhet me dije se në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, “çdo person fizik apo juridik, institucion vendas apo i huaj, i cili ka prova se është kryer një vepër penale, e cila është në juridiksionin e Prokurorisë Publike për krimi i organizuar, mund t’i paraqesë ato prova në këtë prokurori”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vulin, ka mbrojtur Shefin e Agjencisë së Inteligjencës të Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili të martën u sanksionua nga Departamenti amerikan i Thesarit, duke vënë kështu në dyshim arsyet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë në njoftimin e tyre për Vulin-in.

Sipas presidentit serb, sanksionet e ShBA-së ndaj drejtorit të BIA-së “nuk janë për shkak të krimit, por për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse”.

“Nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulin, por në Shtëpinë e Bardhë”, theksoi ai, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

Ndërkaq, i pyetur nga gazetarët se nëse Vulin do të vazhdojë të mbetet në krye të BIA-së, dhe nëse autoritetet shtetërore të Serbisë duhet të hetojnë ato çka u publikuan nga Thesari amerikan, Vuçiç pohoi se është e rëndësishme që të kryhet një hetim.

“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme të kryhet një hetim, sepse mendoj se është një artikull i përgjithshëm që ata përdorin për të shkruar diçka. Keni harruar të përmendni gjënë më të rëndësishme, që është Rusia. Sanksionet kundër Vulin nuk u vendosën kundër krimit, por për shkak të marrëdhënies së tij me Federatën Ruse. Por për pozicionin e tij do të flas në detaje nesër”.

Departamenti Amerikan i Thesarit, të martën, ka sanksionuar Drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin-in.

Futja në listë të zezë të shefit të BIA-s serbe, Aleksandër Vulin, siç njofton Thesari Amerikan, nënvizon vendosmërinë e SHBA-ve për të mbajtur atë përgjegjës për përfshirje në marrëveshje korruptive që çojnë përpara agjendat politike dhe interesat personale të tij në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Duke arsyetuar vendimin e shpalljes “non-grata” të ministrit serb, Thesari Amerikan në njoftimin për media, mban përgjegjës Vulin-in edhe për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese të cilat kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet malinje të Rusisë në rajon.

Aleksandar Vulin, sipas Thesarit Amerikan, ka qenë i implikuar në krimin e organizuar ndërkombëtar, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës publike.

“Vulin ka mbajtur një marrëdhënie reciproke të dobishme me tregtarin serb të armëve, Slobodan Tesiç, duke ndihmuar në sigurimin që dërgesat e paligjshme të armëve të Tesiç mund të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë”.

“Veprimet e Vulin kanë avancuar korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto akte përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit të tij për përfitime personale, duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës. Ai ka përdorur pozicionet e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të çuar më tej ndikimin e saj në rajon”.

“Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja po e mban përgjegjës ose bashkëpunëtor Vulin-in, ose i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në, korrupsionin në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur ndryshe me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose një zyrtar aktual ose ish-qeveritar në çdo nivel të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është shpërdorimi i aseteve publike, shpronësimi i aseteve private për përfitime personale ose qëllime politike, ose ryshfet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore