Lajme

“Presidenti Vuçiç dërgoi një mesazh të qartë dhe të saktë se Kosova është pjesë e Serbisë”


“Sulmet histerike të politikanëve shqiptarë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë përgjigjja e vetme ndaj politikës së paqes dhe kompromisit të cilën e ndjekin shteti i Serbisë dhe presidenti ynë”, ka thënë drejtori i të ashtuquaturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, duke i dalë në mbrojte Vuçiç-it i cili hartën e Kosovës e kishte mbuluar me flamur të Serbisë në një postim në Instagram, shkruan Danas.

Sipas Petkoviç “Presidenti Vuçiç dërgoi një mesazh të qartë dhe të vetëm të saktë se Kosova dhe Metohia janë një pjesë e patjetërsueshme dhe integrale e shtetit tonë, dhe ai e quajti 17 marsin me emrin e tij të vërtetë – dëbim. Ky është një realitet që politikanët në Prishtinë e dinë shumë mirë dhe një të vërtetë që ne nuk do ta heshtim”.

Ai tha po ashtu se “nervozizmi i politikanëve shqiptarë është i qartë, sepse projekti i të ashtuquajturës pavarësi dhe shkëputja e dhunshme nuk njihet nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, as më shumë se gjysma e njerëzimit, e as nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian”.

“Por të jem i sinqertë, ishte e pritur retorika ekstremiste e politikanëve nga Prishtina për presidentin tonë sepse prej tij kurrë nuk do të marrin njohje të Kosovës”, pretendon Petkoviç.

“Sa më shpejt që politikanët shqiptarë të kuptojnë se ata nuk mund të flasin me Vuçiç-in në mënyrë të tillë, as t’i drejtohen në mënyrë të tillë, do të jetë më e lehtë për ta”, përfundon Petkoviç.

“Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por nuk harron dhe nuk do të lejojë që një 17 mars të përsëritet sërish”, ka shkruar Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në Instagram, duke e vendosur flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës.

Me anë të këtij postimi ai ka kujtuar trazirat e 17 marsit në Kosovë, duke thënë se ‘Serbia nuk është e dobët”.

Por, ky postim i Vuçiç ka ngjalluar reagime të shumta në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore