Lajme

Vuçiç-it “duket se i mungojnë bombardimet e NATO-s”


“Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por nuk harron dhe nuk do të lejojë që një 17 mars të përsëritet sërish”, ka shkruar Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në Instagram, duke e vendosur flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës.

Me anë të këtij postimi ai ka kujtuar trazirat e 17 marsit në Kosovë, duke thënë se ‘Serbia nuk është e dobët”.

Por, ky postim i Vuçiç ka ngjalluar reagime të shumta në Kosovë.

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një postimi në Twitter shkroi se Serbia po propagandon dhe po nxitë urrejtje kundër fqinjëve.

Edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri i ka reaguar presidentit Vuçiç.

Tahiri ka shkruar në Twitter se një provokim të tillë Vuçiç e ka bërë edhe në dialogun e Brukselit, të cilit i është përgjigjur duke i thënë “duke se ju mungojnë bombardimet e NATO-s”.

“Serbia e Vuçiçit ka dalë me provokime të reja kundër Kosovës, duke treguar mendimin e tij hegjemonist. Një herë në dialogun e Brukselit ai provokoi në një mënyrë të ngjashme, unë iu përgjigja duke i thënë” duket se ju mungojnë bombardimet e NATO-s”. Po i them atij përsëri!”, ka shkruar Tahiri në Twitter.

Ndërkohë, ministri i Diasporës në Qeverinë e Shqipërisë, Pandeli Majko përmes një postimi në Facebook ka shkruar se me këtë veprim që ka bërë presidenti serb, ka treguar se i pëlqen papajtueshmëria.

Majko tha se “sovraniteti i Republikës së Kosovës garantohet nga NATO dhe jo nga instagrami”.

Postimin e Vuçiç, sipas ekspertit amerikan, Alon Ben Meir, duhet ta dënojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Fotografia të cilën Vuçiç e postoi në Instagram ka marrë shumë raportime nga kosovarët, pasi u janë ndjerë të ofenduar nga ky postim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore