Lajme

Presidenti palestinez takohet me ministrin e Mbrojtjes së Izraelit në një udhëtim të rrallë


Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, të martën e 28 dhjetorit ka zhvilluar një takim me ministrin izraelit të Mbrojtjes Benny Gantz gjatë një udhëtimi të rrallë në Izrael.

Ky ishte i fundit në një seri takimesh midis zyrtarëve të lartë izraelitë dhe udhëheqësit të Autoritetit Palestinez.

Në fund të gushtit, Ministri i Mbrojtjes vizitoi selinë e Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor për bisedime me Abbas-in – takimi i parë zyrtar në një nivel të tillë në disa vite.

Sipas një zyrtari të lartë palestinez, takimi i së martës shënoi të parën herë që Abbas u takua me një zyrtar izraelit në Izrael që nga viti 2010.

Një zyrtar i lartë palestinez bëri me dije se bisedimet natën vonë u zhvilluan në shtëpinë e Gantz-it në Izraelin qendror.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit Benny Gantz
Çfarë diskutuan ata?

Ministria e Mbrojtjes izraelite në një deklaratë theksoi se temë diskutimi ishin çështjet civile dhe siguria.

Gantz i tha Abbas-it se ai synonte të “vazhdonte të promovonte veprime për të forcuar besimin në fushat ekonomike dhe civile, siç u ra dakord gjatë takimit të tyre të fundit”.

Hussein al-Sheikh, ministri palestinez i Çështjeve Civile dhe një ndihmës kryesor i Abbas-it, tha se takimi “u trajtua me rëndësinë e krijimit të një horizonti politik” që çon në një zgjidhje politike në përputhje me rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar.

Ai tha se dyshja diskutuan “kushtet e tensionuara në terren për shkak të praktikave të kolonëve”, duke shtuar se takimi trajtoi “shumë çështje sigurie, ekonomike dhe humanitare”.

Nuk ka proces të vazhdueshëm paqeje

Kryeministri izraelit Naftali Bennett fill pas takimit në gusht tha se nuk kishte asnjë bisedë paqeje në vazhdim me palestinezët, “dhe nuk do të ketë një të tillë”.

Ndërsa lideri i krahut të djathtë kundërshton shtetësinë palestineze, ai ka thënë se dëshiron të reduktojë fërkimet me Autoritetin Palestinez dhe të përmirësojë kushtet e jetesës në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Marrëdhëniet izraelito-palestineze janë përkeqësuar ndjeshëm vitet e fundit.

Javët e fundit janë raportuar disa raste dhune në Bregun Perëndimor, duke përfshirë një seri sulmesh palestineze ndaj izraelitëve, si dhe një rritje të dhunës nga kolonët izraelitë kundër civilëve palestinezë.

Protestuesit fshihen pranë gomave të ndezura, afër gardhit të Rripit të Gaza-s në kufi me Izraelin gjatë një proteste në lindje të Khan Younis, në Rripin e Gaza-s jugore, të mërkurën, 25 gusht 2021.

Bisedimet e paqes u pezulluan në vitin 2014 dhe vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar janë zgjeruar që atëherë.

Autoriteti Palestinez kërkon një shtet të pavarur që përfshin të gjithë Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gaza-s.

Konflikti izraelito-palestinez

Konflikti izraelito-palestinez i ka rrënjët dekada më parë dhe luftimet e 14 majit 2021 tregojnë se çdo zgjidhje afatgjatë mund të jetë akoma larg.

Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe, në fakt, e aneksoi atë më vonë.

Rrjedhimisht, autoritetet nuk e konsiderojnë Lindjen si territor të pushtuar, por të gjithë qytetin si kryeqytetin e tij – një pretendim i panjohur nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare.

Më 14 maj, Izraeli filloi bombardimin intensiv të Rripit të Gaza-s me sulme ajrore dhe predha artilerie, ndërsa rriti vendosjen e trupave dhe tankeve.

Kjo përplasje ka rezultuar në bombardimet më të rënda të Gaza-s që nga lufta 50-ditore midis Izraelit dhe Hamass-it në vitin 2014.

Të paktën 219 njerëz, përfshirë gati 100 gra dhe fëmijë, u vranë në Gaza. Autoritetet e Hamass-it nuk kanë dhënë shifra të viktimave për luftëtarët. Ndërsa në Izrael, 12 persona, përfshirë dy fëmijë, mbeten të vdekur.

Tensionet më të shumta midis Izraelit dhe palestinezëve janë në Jerusalemin Lindor, Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Përplasjet e fundit pasuan një muaj të tensioneve në rritje në Jerusalem, megjithëse konflikti ka qenë i pranishëm për dekada.

Cilat janë problemet kryesore?

Ka një numër çështjesh, për të cilat Izraeli dhe Autoriteti Palestinez, nuk mund të bien dakord.

Oficerët e policisë kufitare izraelite dhe palestinezët përleshen gjatë një proteste kundër zgjerimit të vendbanimeve hebrenje izraelite pranë qytetit Salfit të Bregut Perëndimor, 3 dhjetor 2020.

Këto përfshijnë atë që duhet të ndodhë me refugjatët palestinezë, nëse vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor të okupuar duhet të qëndrojnë ose të hiqen.

Gjithashtu, nëse të dyja palët duhet të ndajnë Jerusalemin dhe ndoshta më e ndërlikuara nga të gjitha, nëse një shtet palestinez duhet të krijohet së bashku me Izraelin.

Bisedimet e paqes po zhvillohen brenda dhe jashtë për më shumë se 25 vjet, por deri më tani nuk e kanë zgjidhur konfliktin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore