Lajme

Si nisi konflikti Izrael-Gaza?


Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka paralajmëruar për një “luftë të plotë”, pas përshkallëzimit të luftimeve mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Përplasjet e fundit pasuan një muaj të tensioneve në rritje në Jerusalem, megjithëse konflikti ka qenë i pranishëm për dekada.

Çështje 100-vjeçare

Britania mori kontrollin e zonës së njohur si Palestinë, pasi sundimtarja e asaj pjese në Lindjen e Mesme, Perandoria Osmane, u mund në Luftën e Parë Botërore.

Toka ishte e banuar nga një pakicë hebreje dhe shumicë arabe.

Tensionet midis dy popujve u rritën, pasi bashkësia ndërkombëtare i dha Britanisë detyrën e krijimit të një “shtëpie kombëtare” në territoret palestineze për hebrenjtë.

Për hebrenjtë, ajo ishte shtëpia e tyre stërgjyshore, por arabët palestinezë gjithashtu pretenduan tokën dhe kundërshtuan këtë veprim.

Midis viteve 1920 dhe ‘40, numri i hebrenjve që mbërritën atje u rrit, ku shumica iku nga persekutimi në Evropë dhe kërkuan një atdhe pas Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore.

Dhuna midis hebrenjve dhe arabëve, si dhe kundër sundimit britanik gjithashtu u rrit.

Në 1947-ën, OKB-ja votoi që Palestina të ndahet në shtete të ndara hebreje dhe arabe, me Jerusalemin si qytet ndërkombëtar.

Ky plan u pranua nga udhëheqësit hebrenj, por u refuzua nga pala arabe dhe nuk u zbatua kurrë.

Krijimi i Izraelit dhe “Katastrofa”

Në vitin 1948, në pamundësi për të zgjidhur problemin, sundimtarët britanikë u larguan dhe udhëheqësit hebrenj shpallën krijimin e shtetit të Izraelit.

Shumë palestinezë kundërshtuan dhe, pas kësaj, nisi një luftë. Trupat nga vendet fqinje arabe filluan pushtimin.

Qindra mijëra palestinezë u larguan ose u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në atë që ata e quajnë Al Nakba, ose “Katastrofa”.

Në kohën kur luftimet përfunduan me një armëpushim, Izraeli kontrolloi pjesën më të madhe të territorit.

Jordania pushtoi tokën, e cila u bë e njohur si Bregu Perëndimor dhe Egjipti pushtoi Gazën.

Jerusalemi ishte i ndarë midis forcave izraelite në Perëndim dhe forcave jordaneze në Lindje.

Për shkak se nuk kishte kurrë një marrëveshje paqeje, secila palë fajësoi tjetrën.

Në një luftë tjetër në 1967-ën, Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor, si dhe pjesën më të madhe të Lartësive Siriane Golan, Gaza dhe gadishullin egjiptian Sinai.

Shumica e refugjatëve palestinezë dhe pasardhësit e tyre jetojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor, si dhe në Jordan fqinjë, Siri dhe Liban.

As ata, as pasardhësit e tyre nuk janë lejuar nga Izraeli të kthehen në shtëpitë e tyre.

Për Izraelin, kjo do të thoshte se vendi do të mbingarkohej dhe do të kërcënonte ekzistencën e tij si një shtet hebre.

Izraeli ende vazhdon pushtimin në Bregun Perëndimor dhe, megjithëse u tërhoq nga Gaza, OKB-ja ende e konsideron atë pjesë të tokës si pjesë të territorit të okupuar.

Izraeli pretendon të gjithë Jerusalemin si kryeqytetin e tij, ndërsa palestinezët pretendojnë Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm palestinez.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga vendet e vetme që njohin pretendimet e Izraelit për të gjithë qytetin.

Në 50 vitet e kaluara, Izraeli ka ndërtuar vendbanime në këto zona, ku tani jetojnë më shumë se 600 mijë hebrenj.

Palestinezët thonë se këto janë të paligjshme, sipas ligjit ndërkombëtar, dhe janë pengesa për paqen, por Izraeli e mohon këtë.

Tensionet më të shumta midis Izraelit dhe palestinezëve janë në Jerusalemin Lindor, Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Gaza drejtohet nga një grup militant palestinez, i quajtur Hamas, i cili ka luftuar Izraelin shumë herë.

Izraeli dhe Egjipti kontrollojnë fort kufijtë e Gazës për të ndaluar arritjen e armëve në Hamas.

Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor thonë se po vuajnë për shkak të veprimeve dhe kufizimeve izraelite.

Izraeli, nga ana tjetër, shprehet se po vepron vetëm për të mbrojtur veten nga dhuna palestineze.

Gjërat janë përshkallëzuar që nga fillimi i muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, në mes të prillit 2021, me përplasje midis policisë dhe palestinezëve.

Dëbimi i kërcënuar i disa familjeve palestineze në Jerusalemin Lindor gjithashtu ka shkaktuar zemërim në rritje.

Cilat janë problemet kryesore?

Ka një numër çështjesh, për të cilat Izraeli dhe palestinezët nuk mund të bien dakord.

Këto përfshijnë atë që duhet të ndodhë me refugjatët palestinezë, nëse vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor të okupuar duhet të qëndrojnë ose të hiqen.

Gjithashtu, nëse të dyja palët duhet të ndajnë Jerusalemin, dhe ndoshta më e ndërlikuara nga të gjitha, nëse një shtet palestinez duhet të krijohet së bashku me Izraelin.

Bisedimet e paqes po zhvillohen brenda dhe jashtë për më shumë se 25 vjet, por deri më tani nuk e kanë zgjidhur konfliktin.

Çfarë pret e ardhmja?

Me pak fjalë, situata nuk do të zgjidhet së shpejti.

Plani më i fundit i paqes, i përgatitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur Donald Trump ishte president, i quajtur “marrëveshja e shekullit” nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, është hedhur poshtë nga palestinezët si i njëanshëm.

Çdo marrëveshje e ardhshme e paqes do të ketë nevojë që të dy palët të bien dakord për zgjidhjen e çështjeve komplekse.

Derisa të ndodhë kjo, konflikti do të vazhdojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore