Lajme

Katër palestinezë të vrarë në operacionin e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor


Mëngjesin e të hënës së 16 gushtit, ushtria izraelite ka njoftuar se janë vrarë katër palestinezë nga forcat speciale në një operacion arrestimi në Bregun Perëndimor.

Ndërkohë, numrin e të vrarëve e ka konfirmuar edhe Ministria Palestineze e Shëndetësisë.

Gazeta izraelite, “Haaretz”, tregon se vrasja e tyre ndodhi kur forcat izraelite hynë në kampin e refugjatëve në Jenin për të arrestuar një të dyshuar të Hamas-it, duke bërë që palestinezët e armatosur të hapnin zjarr ndaj tyre.

Mes të vrarëve, mbetën të plagosur edhe tre palestinezë të tjerë.

Për sa i përket policisë, ajo ka bërë me dije se dy nga të dyshuarit u qëlluan në largësi, ndërsa dy të tjerët u qëlluan nga një distancë e afërt.

“Forcat speciale ndërhynë ndaj terroristëve dhe i neutralizuan ata”, ka deklaruar policia.

Mirëpo, guvernatori i Jenin-it, Akran al-Rajoub, ka thënë se ai e “hedh poshtë” versionin izraelit mbi incidentin.

“Ka video dhe dokumentacion që vërtetojnë se të shtënat u bënë nga një distancë e madhe. Ata u vranë pa asnjë arsye. I gjithë qyteti po mban zi dhe vazhdimi i kësaj politike do të rrisë vetëm frustrim dhe zemërim”, ka vijuar ai.

“Haaretz” shkruan se kjo është hera e dytë në dy javë që një operacion izraelit i arrestimit në Jenin çon në përplasje të dhunshme.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë zbuluar se janë ndeshur me rezistencë të fortë kohët e fundit nga forcat palestineze lokale në Jenin, disa prej të cilave lidhen indirekt me Fatah. Kjo pasi autoriteti palestinez është përpjekur të mbajë kontrollin mbi Jenin-in për një kohë të gjatë.

Lidhur me ministrinë palestineze të shëndetësisë, ajo ka identifikuar dy nga të vrarët si 19-vjeçari Saleh Amar dhe 31-vjeçari Raed Abu Said. Të dy janë shpallur të vdekur në spitalin e Jenin-it. Ndërsa dy të tjerët janë identifikuar si Nur Edin Jarrar dhe Amjad Husseiniya, trupat e të cilëve mbahen nga Izraeli.

Zëdhënësi i presidentit palestinez Mahmoud Abbas, Nabil Abu Rudeineh, e ka dënuar “krimin” e kryer nga forcat izraelite në Jenin.

“Izraeli është përgjegjës për këtë përshkallëzim dhe ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara” që ta detyrojnë Izraelin “të ndalojë agresionin e tij kundër popullit palestinez”, është shprehur Rudeineh.

Edhe Hamas-i e ka dënuar incidentin, duke bërë thirrje për “pjesëmarrje masive në funeralin e të vdekurve” dhe një “grevë të përgjithshme në të gjithë Bregun Perëndimor”.

Javën e kaluar, shefi i shtabit të IDF-së, Aviv Kochavi, ka treguar se ushtria do të godasë ashpër ushtarët luftarakë që nuk ndjekin rregullat në terren, në përgjigje të vrasjeve të shumta të palestinezëve në Bregun Perëndimor.

“Ne do t’ju mbështesim kur veproni sipas urdhrave, por nuk do të pranojmë përjashtime. Ne do t’ju mbështesim kur të përdorni gjykimin tuaj, edhe nëse ka gabime, por ne nuk do të pranojmë pamaturinë”, ka theksuar ai.

Sipas “Haaretz”, përgjatë tre muajve të fundit, më shumë se 40 palestinezë janë qëlluar për vdekje në përleshjet me ushtarët, disa prej të cilëve, jo luftëtarë, janë vrarë gabimisht. Dhe ky numër përfshin 27 palestinezë të vrarë gjatë operacionit në Gaza në muajin maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore