Lajme

Autoritetet izraelite: Grupet palestineze të të drejtave të njeriut janë organizata terroriste


Autoritetet izraelite kanë akuzuar gjashtë grupe të njohura palestineze të të drejtave të njeriut si organizata terroriste.

Sipas tyre, këto grupe kanë lidhje të fshehta me një lëvizje militante.

Shumica e grupeve dokumentojnë shkelje të pretenduara të të drejtave të njeriut nga Izraeli dhe Autoriteti Palestinez.

Bëhet fjalë për Al-Haq, një grup të të drejtave të njeriut i themeluar në vitin 1979.

Ministria izraelite e mbrojtjes tha se ata ishin të lidhur me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP).

Kjo e fundit është një lëvizje politike laike që në të kaluarën kreu sulme kundër Izraelit.

Këto grupe, sipas ministrisë izraelite të Mbrojtjes, funksiononin nën mbulesën e organizatave të shoqërisë civile, por në praktikë përkonin me bindjen dhe udhëheqjen e PFLP-së.

Për autoritetet e mbrojtjes, Al-Haq shërbente si një “burim qendror” financimi për PFLP-në.

Grupet, të njohura për punën e tyre për të drejtat e njeriut, kanë marrë fonde nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Kombet e Bashkuara dhe donatorë të tjerë.

Autoriteti Palestinez tha se masa ishte një “sulm i pandërprerë” ndaj shoqërisë civile palestineze.

Shawan Jabarin, drejtori i Al-Haq, tha se masa ishte një përpjekje për të shuar kritikat.

Grupi izraelit i të drejtave të njeriut B’Tselem e quajti deklaratën e qeverisë “një akt karakteristik për regjimet totalitare, me qëllimin e qartë të mbylljes së këtyre organizatave”.

Qeveria izraelite ka goditur më parë organizatat izraelite, palestineze dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duke bllokuar fondet, duke mos lejuar hyrjen për punonjësit ose duke bastisur zyrat.

PFLP-ja është cilësuar një organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore