Lajme

Presidenti i Tunizisë injoron kushtetutën – sundon me dekret


Presidenti i Tunizisë, Kais Saied, ka deklaruar se do të sundojë me dekret dhe do të injorojë pjesë të kushtetutës. Ndërsa është duke bërë përpjekje për të ndryshuar sistemin politik, duke shkaktuar kundërshtime të menjëhershme nga rivalët.

Saied ka mbajtur pushtetin pothuajse të plotë që nga 25 korriku kur shkarkoi kryeministrin, pezulloi parlamentin dhe mori autoritetin ekzekutiv, duke cituar një emergjencë kombëtare në një veprim që armiqtë e tij e quajtën grusht shteti.

Ndërhyrja e tij ka minuar fitoret demokratike të revolucionit të Tunizisë në 2011-ën, që i dha fund sundimit autokratik dhe shkaktoi pranverën arabe, pavarësisht premtimeve të Saied për të mbështetur liritë e fituara një dekadë më parë.

Me kalimin e javëve, ai është vënë nën presionin në rritje nga lojtarët politikë tunizianë dhe donatorët perëndimorë për të emëruar një kryeministër dhe për të shpjeguar sesi ai synon të kalojë krizën.

Masat e reja, të shpallura të mërkurën, shkojnë përtej hapave që ai ndërmori në korrik, duke shkruar në gazetën zyrtare rregullat që transformojnë sistemin politik të Tunizisë për t’i dhënë presidentit pushtet pothuajse të pakufizuar.

Kreu i partisë së moderuar islamike Ennahda, Rached Ghannouchi

Rregullat e botuara në gazetën zyrtare i lejojnë atij të nxjerrë “tekste legjislative” me dekret, të emërojë Kabinetin dhe të përcaktojë drejtimin e tij politik dhe vendimet themelore pa ndërhyrje.

Parlamenti i zgjedhur – të cilin ai e pezulloi në korrik duke përdorur një lexim shumë kundërshtues të kushtetutës – jo vetëm që do të mbetet i ngrirë, por anëtarët e tij do të pushojnë së paguari pagat e tyre. Atyre, po ashtu, do t’u hiqet imuniteti nga ndjekja penale.

Saied nuk vuri asnjë kufizim në marrjen e pushtetit, por tha se do të emërojë një komitet për të ndihmuar në hartimin e ndryshimeve në kushtetutën e vitit 2014 dhe krijimin e “një demokracie të vërtetë në të cilën njerëzit janë vërtet sovranë”.

Presidenca tha se ndërkohë vetëm preambula e kushtetutës ekzistuese dhe çdo klauzolë që nuk bie në kundërshtim me fuqitë ekzekutive dhe legjislative që ai ka marrë do të mbetet në fuqi.

Kreu i partisë së moderuar islamike Ennahda, Rached Ghannouchi – më e madhja në parlamentin thellësisht të fragmentuar dhe anëtar i koalicioneve qeverisëse të njëpasnjëshme – hodhi poshtë menjëherë njoftimet e Saied.

Ghannouchi tha se njoftimi nënkuptonte anulimin e kushtetutës dhe se Ennahda – e cila tashmë e kishte shpallur ndërhyrjen e Saied të 25 korrikut një grusht shteti – nuk do ta pranonte atë.

Një zyrtar i lartë në Zemrën e Tunizisë, partia e dytë më e madhe në parlament, akuzoi Saied për kryerjen e një “grushti shteti të paramenduar”.

“Ne bëjmë thirrje për një shtrirje kombëtare kundër grushtit të shtetit”, tha zyrtari Osama al-Khalifi, në median sociale Twitter.

Nga ana tjetër, Saied ka mohuar të ketë synime diktatoriale dhe ka këmbëngulur se lëvizjet e tij janë kushtetuese dhe është zotuar t’i mbrojë të drejtat e tunizianëve.

Ndërhyrja e tij gjerësisht e popullarizuar erdhi pas viteve të ngecjes ekonomike dhe paralizës politike, të rënduar nga një rritje e mprehtë e rasteve të COVID-19 dhe një ditë protestash të dhunshme.

Sidoqoftë, me kalimin e javëve, një numër në rritje i tunizianëve janë shqetësuar nga mungesa e qartësisë në planet e Saied dhe mungesa e një kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore