Lajme

Presidenti i Sri Lankës shpall gjendje emergjente pas protestave kundër krizës ekonomike


Presidenti i Sri Lankës Gotabaya Rajapaksa ka shpallur një emergjencë publike mbarëkombëtare, pas protestave të dhunshme mbi krizën më të keqe ekonomike të vendit në dekada.

Rajapaksa tha në një njoftim të gazetës qeveritare të premten vonë se ai e mori vendimin në interes të sigurisë publike, mbrojtjes së rendit publik dhe mirëmbajtjes së furnizimeve dhe shërbimeve thelbësore.

Qindra protestues u përleshën me policinë dhe ushtrinë të enjten jashtë rezidencës së Rajapaksa në periferi të kryeqytetit, Colombo.

Policia arrestoi 53 persona dhe vendosi një shtetrrethim rreth Kolombo-s të premten për të frenuar protestat që kanë shpërthyer për mungesën e artikujve thelbësorë, duke përfshirë karburantin dhe mallrat e tjera.

Një protestues demonstron jashtë shtëpisë së presidentit të Sri Lankës ndërsa kriza e paprecedentë ekonomike e vendit përkeqësohet

Kombi ishullor i Oqeanit Indian me 22 milionë banorë përballet me ndërprerje të energjisë elektrike deri në 13 orë në ditë, ndërsa qeveria përpiqet të sigurojë valutë për të paguar importet e karburantit.

Industria fitimprurëse e turizmit të vendit dhe dërgesat e punëtorëve të huaj janë dobësuar nga pandemia dhe financat publike u goditën më tej nga shkurtimet e thella të taksave të premtuara nga Rajapaksa gjatë fushatës së tij zgjedhore në vitin 2019.

Qytetarët e Sri Lankas po përballen gjithashtu me mungesa dhe inflacion në rritje, pasi vendi zhvlerësoi ndjeshëm monedhën e tyre muajin e kaluar përpara bisedimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një program kredie.

Një aleancë prej 11 partish politike i ka kërkuar Rajapaksës të shpërndajë kabinetin dhe të formojë një qeveri me të gjitha partitë për t’u marrë me krizën, thanë mediat lokale, në një vend ku India dhe Kina po konkurrojnë për të ndërtuar ndikim.

Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat pranë rezidencës së Rajapaksa të enjten, pasi dogjën disa automjete të policisë dhe ushtrisë.

Të paktën dy duzina personel policie u plagosën në përleshjet, tha një zyrtar, duke refuzuar të komentojë mbi numrin e protestuesve të lënduar.

Ministrja e turizmit Prasanna Ranatunge paralajmëroi se protesta të tilla do të dëmtonin perspektivat ekonomike. “Çështja kryesore me të cilën përballet Sri Lanka është mungesa e forex-it dhe protestat e kësaj natyre do të dëmtojnë turizmin dhe do të kenë pasoja ekonomike”, tha Ranatunge.

Përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara në vend, Hanaa Singer-Hamdy, bëri thirrje për përmbajtje nga të gjitha grupet e përfshira në përleshje. “Ne po monitorojmë zhvillimet dhe jemi të shqetësuar nga raportet e dhunës”, tha ajo në Twitter.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore