Lajme

“Populli i Kosovës është mirënjohës ndaj miqve që lirinë e bënë realitet”, thonë krerët e shtetit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani 12 qershorin e ka quajtur si “ditën më të rëndësishme” për Kosovën.

Sipas saj, në këtë ditë u tregua se Kosova është popull i pafajshëm pas një lufte nga Serbia ku edhe është kryer gjenocid.

“Sot shënojmë një prej ditëve më të rëndësishme për kombin tonë, një prej ditëve ditën kur shteti ynë u çlirua, pas një luftë që rezultoi me një gjenocid ndaj një populli të pafajshëm. Në mëngjes ne nderuam vizionarët e shtetit tonë, nderuam ata që i vënë themelet e shtetit, këtu nderuam ata që i dhanë vulën shtetit tonë”.

“Jemi mirënjohës përherë dhe përsërisim për të gjithë ata që dhanë gjithçka për lirinë tonë, mirënjohjen e përjetshëm për miqtë që lirinë, demokracinë ta kemi realitet dhe ta gëzojnë të gjithë qytetarët”, tha Osmani.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën e Çlirimit, ka deklaruar se ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ka ndalur gjenocidin e Serbisë mbi popullin e Kosovës.

Për këtë ai ka thënë se do të jenë përgjithmonë “falënderues dhe mirënjohës”.

“Pas çlirimit vjen paqja, sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vendin tonë, pra 12 qershorin. Bashkë me presidenten e Republikës dhe kryetarin e Kuvendit kujtuam duke vendosur lule të freskat dhe bërë homazhe humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe këtu kontributin e NATO-s”, ka thënë Kurti.

Ai tutje u shpreh se përulen para dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirin e popullit dhe çlirimin e Kosovës.

“Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirin e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ndërsa, për kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, çlirimi i Kosovës është shembulli më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm ndërmjet faktorit vendor edhe bashkësisë ndërkombëtare.

Ndalja e gjenocidit të Serbisë, sipas Konjufcës nuk mund të ndalje pa miqtë tanë të çmuar ndërkombëtarë.

Por që liria, “erdhi edhe sepse kërkesat tona ishin të drejta”.

“Sot pra është 24 vjetori i çlirimit të Kosovës nga Serbia, çlirimi i Kosovës është shembulli me i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm mes faktorit vendor edhe bashkësisë ndërkombëtare. Për ne ishte dita e ardhjes së lirisë një datë shumë e çmuar për popullin e Kosovës por ishte po ashtu edhe sukses i madh në planin ndërkombëtar”.

“Sepse dita e çlirimit të Kosovës konsideroj pikërisht edhe me ndalje e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo natyrisht nuk do të mund të arrihej edhe pa miqtë tanë të çmuar ndërkombëtarë, pa shtet të cilat e ndihmuan çlirim e Kosovës”.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

“Por kjo ndodhi edhe pikërisht për arsye se kauza jonë ishte shumë e drejt. Ne krejt çka po kërkonim si popull dhe qytetarë ishte që ta heqim pushtimin, okupimin serb shekullor në Kosovë”, deklaroi Konjufca.

Ai tutje theksoi se për arritjen e kësaj dite, pati sakrifica shumë të mëdha nga populli i Kosovës.

“Për këtë ditë dhamë edhe shumë, dhamë dëshmorët tanë, i dhamë martirët e Kosovës dhe kishte shumë sakrifica dhe mund të popullit tonë për çlirim, prandaj ata do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë sepse janë në themelet e lirisë së shtetit tonë. Prandaj unë e shfrytëzoj rastin që të uroj edhe një herë ditën të gjithë qytetarëve të Kosovës, 12 qershorin ditën e çlirimit sepse është njëra nga ditët më të çmbushmë, më të rëndësishme të popullit tonë”, tha ai.

Ushtarët e NATO-s, ashtu edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pritën nga kosovarët si çlirimtarë. Tashmë kishte perënduar “nata e thikave të gjata” dhe lindi “ylli i Perëndimit” në Kosovë.

Paraprakisht, më 9 qershor u nënshkrua Marrëveshja ushtarako-teknike, që kishte paraparë një plan të detajuar të tërheqjes së ushtrisë dhe policisë serbe, kurse më 10 qershor u miratua Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte një forcë paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

Kjo rezolutë parashihte tërheqjen e plotë të të gjitha forcave të sigurisë dhe vendosjen e Kosovës nën kontrollin ekskluziv të OKB-së. Tërheqja e plotë serbe nisi atëherë, kurse nisja e zbarkimit të forcave të NATO-s ndodhi menjëherë të nesërmen.

Të hënën e 12 qershorit, festohet 24 vjetori i çlirimit, ditë kjo e cila nuk është festë zyrtare në Kosovë. Ligji për festat zyrtare, 12 qershorin e njeh vetëm si ditë memoriale, madje nuk e njeh as si ditë të çlirimit – kur nisi largimi i çizmes së fundit të ushtarit serb – por si ditë të paqes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore