Kosova

Petkoviç pas takimit me patriarkun serb Profirio: Kishat në Kosovë po sulmohen


“Sulmet në tempujt tanë janë të drejtuara tek dëbimi i serbëve nga vendet tona qindra vjeçare, duke fshirë të kaluarën dhe shpirtëroren, në mënyrë që të shkatërrojnë çdo gjurmë të historisë së popullit serb”, tha drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, pas takimit me patriarkun serb Porfirio.

Sipas Petkoviç, një numër i madh i kishave serbe në Kosovë kanë qenë të ekspozuara nga “sulmet dhe përdhosjet”.

Sipas njoftimit për media të Qeverisë së Serbisë, Petkoviç dhe patriarku Porfirio kanë biseduar edhe për bashkëpunimin e ngushtë mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë lidhur me renovimin e kishës së dëmtuar në Prizren.

Ndërkohë, vitin e kaluar, autoritetet në Kosovë janë pajtuar që të pezullojnë punimet në rrugën Plavë-Deçan, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit.

Kjo për faktin që në planin e Marti Ahtisarit, mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia e Kosovës, një pjesë e madhe përreth Manastirit të Deçanit është zonë e mbrojtur ku nuk lejohet asnjë ndërtim.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për zona të veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore