Shqipëria

Përmbytjet, përmirësohet situata në Durrës


Situata e përmbytjeve në qarkun e Durrësit është përmirësuar ndjeshëm duke qenë se ka pasur edhe një rënie të itensitetit të reshjeve më 11 janar.

Zonat më problematike në këtë qark janë: Sukthi, Katund i Ri dhe zona e Ishëmit.

Burime nga Bashkia e Durrësit kanë bërë më dije se nga afërsisht 250-të hektarë tokë e përmbytur në njësinë administrative Sukth, tashmë janë 70-të hektarë nën ujë.

Në tre njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm u raportuan afro 400 hektar tokë bujqësore e përmbytur, por aktualisht kjo sipërfaqje është zvogëluar në rreth 100 hektar tokë në total.

Situata është përmirësuar ndjeshëm edhe në lagjen “Vadardhë” si dhe në fshatin “Perlat” dhe “Rrushkull”.

Shtabi i emergjencave ka pasur nën monitorim të vazhdueshëm lumin Erzen, pasi prurjet e lumit kanë pësuar rritje, si shkak i shtimit të reshjeve gjatë mbrëmjes. Aktualisht kuota e këtij lumi është në rënie.

Në Qarkun e Durrësit janë evakuar tetë familje dhe janë përmbytur 20-të banesa.

Kujtojmë se edhe gjatë muajit dhjetor të vitit 2019-të, reshjet bllokuan kanalizime dhe përrenj në këtë qytet, duke sjellë vështirësi për banorët. Gjithashtu moti i keq shkaktoi edhe vonesa në mbërritjen e trageteve nga Italia për në port./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore