Gjykata Speciale

Përfundon seanca e dytë në Speciale – vazhdon të mërkurën me deklaratën hyrëse të mbrojtës së Krasniqit


Ka përfunduar seanca e dytë e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, kanë paraqitur provat e tyre kundër Prokurorisë së Specializuar për akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi klientët e tyre.

Fjalën hyrëse e dhanë para trupit gjykues avokatët Gregory Kehoe, Luka Mishetiç, Ben Emmerson dhe Geoffrey Roberts, ndërsa Thaçi dhe Selimi zgjodhën që t’i thonin disa fjalë edhe vetë para trupit gjykues.

Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë ka sfiduar Prokurorinë e Specializuar të gjejë lidhjen mes një veprimi të kryer nga dikush që është thirrur në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe urdhrit të dhënë nga Thaçi si udhëheqës i UÇK-së.

“Hashim Thaçi nuk pati kurrë pushtet ekzekutiv si i ashtuquajtur kryeministër i Kosovës, sepse kjo qeveri e përkohshme e Kosovës nuk ekzistoi kurrë siç u parashikua në Rambuje por u zëvendësua nga UNMIK-u”.

“Thaçi nuk pati kurrë pushtet. Ishte kryeministër për t’u përfaqësuar para ndërkombëtarëve, por këto tituj ishin veç në letër. Ai bëri çmos që ta promovonte vetën si një person i pushtetshëm, por nuk kishte pushtet real”, tha njëri nga avokatët, duke shpjeguar më tej rolin e UNMIK-ut.

“Thaçi shumë shpejt e kuptoi se UNMIK-u e kishte pushtetin real. Si politikan aspirues ishte në interesin e Thaçit se ishte partner i besueshëm. Ai kishte nevojë për mbështetjen ndërkombëtare, sidomos atë amerikane, jo vetëm për aspiratat personale, por për shkak se pavarësia e Kosovës ishte qëllimi përfundimtar”, tha ai.

Ben Emmerson, avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në ditën e dytë të gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar se edhe pse janë intervistuar mijëra dëshmitarë nga prokuroria, asnjë prej tyre nuk thotë se që e ka parë që Veselin të ketë nxitur ndonjë vepër kriminale.

“Nuk ka asnjë provë që ai të ketë qenë i pranishëm në çfarëdo krimi, të ketë autorizuar apo nxitur një krim ose politike kriminale, apo të ketë marrë ndonjë raportim të ndonjë krimi të kryer”.

“Nuk ka asnjë provë që ai të mos ketë marrë hapa për të parandaluar ndonjë krim. Nuk ka një dokument të vetëm në të gjitha provat që të ketë nënshkrimin e tij”, shtoi ai, teksa pyeti prokurorët se “ku janë provat që Kadri Veseli ka qenë i përfshirë në ndërmarrje të përbashkët kriminale për ti keqtrajtuar kolaboracionistët?”.

“Veseli ishte në Shqipëri dhe shkonte shpesh në Kosovë, por nuk ka asgjë në prova që ai ka qenë i përfshirë në ndalimin e kolaboracionistëve të pretenduar”, tha ai, ndërsa ka folur edhe për rastin e Jabllanicës për të cilin ishte dënuar Lahi Ibrahimaj, por jo edhe Ramush Haradinaj.

“Brahimaj është dënuar në çështjen Haradinaj dhe është dënuar me burgim për krimet dhunë, keqtrajtim, e kështu me radhë, që ai dhe vartësit e tij kishin kryer kundër disa personave të burgosur atje”.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, në fjalën e tij hyrëse para trupit gjykues në Hagë, tha se prokuroria ka dështuar të përmend krizën ekzistenciale në të cilën gjendeshin shqiptarët e Kosovës, të cilët vendosën të nisnin luftën për liri.

Ai po ashtu tha se gjatë deklaratë hyrëse të Zyrës së Prokurit të Specializuar, iu referuan masakrave në Kosovë, sikurse ajo në Prekaz të Skenderajt “si ngjarje” dhe sipas tij, ky mohim i krimit të serbëve ndaj shqiptarëve “nuk është asgjë tjetër veçse manipulim i ZPS-së”.

Roberts tha se pretendimet ZPS-së se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri me hiearki të mirëorganizuar dhe me strukturë funksionale, nuk qëndrojnë, ngase siç tha ai, ka pasur “aspiratë të individëve për të qenë të organizuar”, por nuk përkonin me “realitetin e situatës në terren”.

Ai ka përmendur edhe shpërpjestimin e fuqisë në kohën e luftës mes UÇK-së dhe Serbisë, duke shtuar se kur të mbaroj ky proces gjyqësor, këto “copëza të panoramës do të ofrojnë vetëm një imazh të shtrembëruar konspirativ”.

“Mjafton të bëhet vetëm kontrasti mes UÇK-së dhe forcave të armatosura serbe të kohës, një ndër më të mëdhatë në Evropë për nga numri i trupave, me një personel aktiv për rreth 140 mijë trupash të mbështetur nga 400 mijë rezervistë”.

“Ndërsa forcat serbe ishin të pajisura me avionë luftarakë, tankse dhe artileri, UÇK-ja kishte vetëm pushkë dhe bomba të improvizuara. Derisa Serbia kishe ushtarë me përvojë në terren të mësuar me ashpërsinë e betejave të përgjakshme në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci, UÇK-ja kishte vullnetarë…”, tha ai.

Ai ndër të tjera shtoi se krimet e pretenduara për të cilat akuzohet Selimi përbëjnë ngjarje të izoluara dhe të rastisshme kundër individëve të caktuar dhe se ai thjeshtë nuk ka pasur asnjë lidhje me to.

“Personat përgjegjës janë ata të cilët e kanë kryer fizikisht veprën ose kanë qenë drejtpërdrejtë përgjegjës për urdhërimin e saj. Thënë thjeshtë, krimet e kryera në luftë, jo medoemos janë rezultat i një plani apo politike edhe nëse ato janë realitivisht të shumta në numër”, përfundoi Roberts.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij para Gjykatës Speciale, ka thënë se është i pafajshëm për të gjitha akuzat, dhe se është gati të përballet me një sfidë të re. Ish-kreu i UÇK-së deklaroi se rruga për liri ishte e gjatë dhe e vështirë dhe se çmimi ishte i lartë, por  “kjo sakrificë ia ka vlejtur”.

“Bota e kuptoi se s’kishte trafikim organesh dhe shtëpia e verdhë s’ka ekzistuar kurrë”, tha Thaçi në fjalën e tij 10 minutëshe para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, teksa shtoi se “sot jemi shfajësuar nga këto akuza” dhe kjo nënkupton se “hoqëm renë e zezë”.

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ka kërkuar nga Dhomat e Specializuar që opinionet politike që ka pasur me ish-krerët tjerë të UÇK-së të mos përdoren si fakte juridike kundër tyre. Në adresimin e tij para trupit gjykues, ai tha se ato deklarata nuk duhet për përdoren as kundër Thaçit, Veselit e Krasniqit.

“Më duhet të theksoj e të them se dallimet dhe opinionet politike mes nesh nuk duhet dhe nuk mund të përdoren si fakte juridike kundër askujt e po ashtu kundër ne të bashkëakuzuarve. Në këto qaste kur ne flasim e po na shohin qytetarët, kam shumë besimin se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën”, tha ai.

Selimi ka thënë se kishte vetëm dy rrugë – të largohej nga Kosova, ose të rrinte në shtëpi – por, ky kishte zgjedhur një tjetër shteg. Rrugën e ushtarit të lirisë.

“Në mes këtyre dy opsioneve zgjodha një rrugë të tretë. Unë iu bashkova një familjeje akoma më të madhe – familjes Jashari në Prekaz. Lashë ëndrrat e mia, studimet e letërsisë dhe u bëra pjesë e UÇK-së. UÇK-ja e kishte emrin ushtri, por nuk numëronte shumë njerëz. Njerëz e armë kishim pak, por vullnetin e kishim të madh”, shtoi ai.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, deklaroi se seanca tjetër do të mbahet nesër (e mërkurë) në orën 09:00 të mëngjesit, në të cilën ekipi i mbrojtes së Jakup Krasniqit do ta bëjë deklaratën hyrëse në gjykim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore