Sport

Perez reagon pas skandalit të përgjimeve


Presidenti i Real Madrid-it, Florentino Perez-i, ka marrë faqet e para të gazetave sportive pasi i janë publikuar disa kaseta me përgjime të vitit 2006, kur sulmonte disa nga yjet e klubit: Iker Casillas-in, Raul Gonzalez-in dhe Luis Figo-n.

Media spanjolle “El Confidencial” zbuloi dhe publikoi përgjimet audio. Por, në reagimin e Perez-it, pas shpërthimit të skandalit, ai ka thënë se publikimi i tyre “nuk ishte rastësi”.

Presidenti i Real-it, gjithashtu shtoi se ato kaseta ishin publikuar për të minuar besueshmërinë tek ai, pas përpjekjeve që dështuan për krijimin e “Superligës Evropiane”.

Perez-i vijoi më tej, duke thënë se kasetat ishin marrë nga gazetari, Jose Antonio Abellan, në mënyrë të paligjeshme dhe se ai këtë çështje tashmë ia ka kaluar avokatëve të tij.

“Citimet e botuara ishin pjesë e bisedave të regjistruara fshehurazi nga Z. Jose Antonio Abellan, i cili po përpiqet të shesë regjistrimet për shumë vite pa ndonjë sukses”, shprehet 74-vjeçari.

“Më duket për t’u habitur që ato janë botuar sot nga ‘El Confidencial’, pavarësisht nga koha që ka kaluar”.

“Janë citate të vogëla që ishin pjesë e bisedave dhe janë nxjerrë nga konteksti më i gjerë në të cilin janë bërë”.

“Unë e kuptoj që fakti që ato janë botuar tani, kaq shumë vite nga koha kur u zhvilluan bisedat, i detyrohet përfshirjes sime si një nga forcat shtytëse për Superligën”.

“Unë e kam vendosur çështjen në duart e avokatëve të mi, të cilët janë duke shqyrtuar rrugën e veprimit që do të ndërmerret”, përfundoi Presidenti i Real Madrid-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore