Lajme

“Përdorimi i fshesës i vetmi opsion për Kurtin”


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka kritikuar vendimin e Qeverisë Kurti 2, për lirimin e ambasadorëve.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se mënyra e vetme për Kurtin, që të bëjë zëvendësime në interes të partisë së tij është përdorimi i fshesës.

“Kjo është një logjikë e partisë së Kurtit, sepse në mungesë të vizionit se si të merr vendime për shtetin e Kosovës e vetmja detyrë që e njeh mirë është përdorimi i fshesës dhe largimi nga bordet dhe ambasadorëve për zëvendësim nga militantët e tyre politik”, ka thënë Kadrijaj.

Veprimin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, Kadrijaj, në një konferencë për media e ka quajtur si të pa precedent.

“Vendimi i ministres së Punëve të Jashtme për lirim nga detyra të një numri të ambasadorëve të Kosovës, është i pa precedent dhe i papjekur politikisht që do të ketë ndikime negative në politikën e jashtme të Kosovës”, është shprehur ajo.

Për këtë parti opozitare, është e pa pranueshme që një shtet demokratik të mbet pa përfaqësim në vendet e tjera.

“Largimi i pa paralajmëruar i ambasadorëve të Kosovës, në mes të detyrës në një periudhë të sfidave për shtetësinë e Kosovës e dobëson pozitën e saj dhe e dëmton angazhimin dhe ndërtimin e partneritetit me shtetet e tjera pritëse”, deklaroi Kadrijaj.

Ajo po ashtu, ka kërkuar që ministrja Gërvalla-Schwarz të përgjigjet para komisionit për shkarkimin e 12 ambasadorëve.

“Për vendimin skandaloz të ministres së Punëve të Jashtme, kam kërkuar nga kryetari i komisionit që në mbledhjen e radhës së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporës, ministrja të përgjigjet para komisionit për fshesën e zezë dhe për planin për shkarkim të këtyre ambasadorëve”.

Tërheqjen e ambasadorëve si veprim skandaloz e sheh edhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Tёrheqja e Ambasadorёve tё Republikёs sё Kosovёs, nё njё kohё tё pandemisё dhe nё njё formё tё tillё grupore, pa vlerёsuar individualisht punёn e secilit prej tyre, paraqet njё veprim skandaloz dhe qё vё nё pikёpyetje raportet e shtetit tonё me vendet mike ku diplomatёt janё akredituar”, ka thënë Ariana Musliu-Shoshi në një konferencë për media.

Të mërkurën e 19 majit, janë shkarkuar 12 ambasadorë të Kosovës me një vendim të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Bëhet fjalë për Ambasadorin Beqë Cufaj në Gjermani, Nait Hasani në Shqipëri, Arbër Vllahiu në Çeki, Lirim Grejqevci në Holandë, Shpend Kallaba në Hungari, Gezim Kasapolli në Kroaci, Avni Kastrati në Slloveni, Gjergj Dedaj në Maqedoni të Veriut, Hajdin Abazi në Australi, Ylber Hysa në Mal të Zi, Avni Arifi në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Amir Ahmeti në Katar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore