Lajme

Për një vit Prokuroria e Prizrenit trajtoi 301 raste të dhunës në familje


Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se gjatë vitit 2021 ka trajtuar 301 raste të dhunës në familje.

“Nga të tri departamentet gjatë kësaj periudhe raportuese janë kryer 301 lëndë me 357 persona, duke përfshirë edhe lëndët e trashëguara nga viti paraprak”.

Kështu është thënë gjatë takimit të grupit koordinues me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie.

“Në këtë takim, ishin të pranishëm përfaqësues nga Policia e Kosovës për Regjionin e Prizrenit, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Qendra e Shëndetit Mendor, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas si dhe përfaqësues nga Njësia për të Drejtat e Njeriut në Regjionin e Prizrenit”.

Takimi i grupit koordinues me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje

Pjesëmarrësit në takim kanë theksuar se gjatë vitit 2021 ka pasur rritje të rasteve të dhunës në familje, në krahasim me vitin 2020.

“Prokurorja Mehreme Hoxha, theksoi se në vitin 2021 (deri me 30 nëntor 2021) në Prokurorinë Themelore në Prizren, gjendja statistikore për sa i përket lëndëve të dhunës në familje ka qenë si në vijim: në Departamentin e Përgjithshëm janë pranuar 282 kallëzime penale me 317 persona”, vijon njoftimi.

Pjesëmarrësit në takim vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes institucioneve kompetente për trajtimin efikas dhe të shpejtë të këtyre rasteve.

Po ashtu, u potencua se rastet në familje “janë rastet më të vështira për trajtim, andaj, u kërkua që hartimi i kallëzimeve penale të bëhet në mënyrë sa më profesionale dhe të vlerësohet rrezikshmëria e viktimës në mënyrë që të ndërmerren masa adekuate për mbrojtje të viktimës”.

“Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan se do të vazhdojnë bashkëpunimin me kapacitetet ekzistuese për trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore