Lajme

“Për hair Bajrami”, në Kosovë pa shtrëngim duarsh


Pas faljes së namazit të Kurban Bajramit në Kosovë, besimtarët myslimanë “nuk do të shtrëngojnë duart e njëri-tjetrit”.

Kështu ka vendosur Bashkësia Islame e Kosovës, për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit korona.

Ka qenë myftiu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që ta festojnë Bajramin, por njëkohësisht ka thënë ai “të kemi kujdes dhe të respektojmë masat anti-COVID, sepse virusi është ende në mesin tonë”.

Më tej, për mediat ai ka thënë se “në këtë ditë feste, edhe njëherë e lusim Zotin që t’i mëshirojë të gjithë ata që pësuan nga COVID, të prekurve t’u japë shërim të shpejtë me shpresë te Zoti se jemi në prag të kalimit të kësaj sfide globale”.

Myftiu ka shprehur dhe dhembshurinë e thellë “për viktimat që humbën jetën nga përmbytjet në shtetet mike: Gjermani, Belgjikë, Austri dhe Turqi”, si dhe “solidaritetin tonë me familjarët e tyre, duke lutur Zotin e Madhërishëm që sa më parë të stabilizohet gjendja e krijuar”.

Tërnava e ka cilësuar festën e Kurban Bajramit si një ndër momentet më të rëndësishme të vitit për besimtarët myslimanë, “të cilën e karakterizon therja e kurbanit që është ibadet i rëndësishëm për besimtarët, si dhe kryerja e haxhit si kusht i Islamit”.

“Si për nga karakteri, ashtu edhe për nga ndikimi”, ka thënë ai për festat e Bajramit, “janë festat më popullore të besimtarëve myslimanë”.

“Në këto festa besimtarët”, sipas tij, “në asnjë rast tjetër, përjetojnë shpirtërisht e emocionalisht afërsinë me Krijuesin, ngrohtësinë e familjes e farefisit, respektin e mirëkuptimin për tjetrin, ndihmën dhe përkrahjen për vëllain, e për atë që ka nevojë”.

Çka është Kurban Bajrami?

Kurban Bajrami është festa e dytë më e madhe myslimane pas Fitër Bajramit, i cili shënon fundin e Ramazanit, muajin e agjërimit.

Myslimanët besojnë se Profeti Ibrahim (ose Abrahami) u sprovua nga Zoti që e urdhëroi atë të sakrifikonte djalin e tij të vetëm, Ismailin.

Ibrahimi ishte i përgatitur t’i nënshtrohej urdhrit, por Zoti i zgjati dorën. Profetit iu kërkua të sakrifikonte një kafshë, me gjasë një qengj ose dele.

Kurban Bajrami llogaritet si Festa e Sakrificës – e cila bie në ditën e 10-të të muajit Dhul Hixha, muajin e 12-të dhe të fundit të kalendarit hënor mysliman.

Festa shënohet me sakrificën e një kafshe – një dhi, dele, lopë ose deve – nga ata njerëz që kanë mundësi ta bëjnë këtë.

Në shumë vende të botës myslimane, tregjet e bagëtive tashmë janë hapur dhe besimtarët mund të blejnë kafshë për ta bërë kurban.

Këtë vit, në disa vende, si India dhe Bangladeshi, janë aktivizuar shumë aplikacione dhe faqe në internet, ku kafshët do të shiten për të kufizuar ekspozimin ndaj virusit, pasi jemi ende në mesin e pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore