Lajme

Pendarovski nuk mendon të rikandidojë për President të Maqedonisë së Veriut


Stevo Pendarovski

Stevo Pendarovski nuk mendon që të jetë sërish kandidat për President të Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit.

Presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, ka bërë të ditur këtë të mërkure se s’e nuk e ka menduar që të jetë kandidat edhe për një mandat në krye të shtetit maqedonas.

Lajmi e ka bërë të ditur vetë Pendarovski, pasi që është pyetur nga gazetarët atje për mundësinë e kandidimit edhe për një mandat.

Përgjigja e tij ka qenë e shkurtër. Ai ka thënë vetëm “jo”, transmeton “TV21”.

Pendarovski ishte zgjedhur President i Maqedonisë së Veriut më 5 maj të vitit 2019, pasi që kishte mposhtur në balotazh kandidaten e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova me një epërsi prej rreth 6 për qind të votave.

Gjatë mandatit të tij, Pendarovski ishte shquar për kultivimin e një kulture të respektit ndërmjet popujve përbërës të Maqedonisë së Veriut.

Së fundmi, ai kishte uruar shqiptarët për Ditën e Alfabetit, me një mesazh tejet unik, duke thënë – ndër të tjera – se “jemi krenarë që shqiptarët janë pjesë e pandashme e Maqedonisë së Veriut”.

Ndryshe, zgjedhjet e radhës presidenciale në Maqedoni të Veriut vijnë pas përfundimit të mandatit të Pendarovksit.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është caktuar që të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë pritet që të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore