Shqipëria

Peleshi me krerët e bashkive: Mbi 20 milionë dollarë për emergjencat civile


Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, të mërkurën e 3 nëntorit pas një takimi me krerët e bashkive iu ka bërë me dije se do të kenë një mbështetje mbi 20 milionë dollarë nga buxheti i ri për emergjencat.

“2.1 miliardë ose 20 milionë dollarë buxhet për Emergjencat Civile, e cila do të ndahet në 1,1 miliardë ose 11 milionë dollarë do të jetë si transfertë e kushtëzuar për bashkitë. 600 milionë do të transferohen në buxhetet e bashkive nga Ministria e Financave përmes Ministrisë së Mbrojtjes”.

Peleshi iu ka bërë me dije kryetarëve të bashkive dhe 12 prefektëve të qarqeve se tashmë, “jemi në sezonin e dimrit dhe duhet të ndërmerren masa për përballimin e pasojave që sjellin reshjet e dendura të shiut”.

Sipas Peleshit Shqipëria ka hyrë në zonën e riskut të lartë duke u bazuar në raportin vjetor të riskut botëror.

“Ne tani jemi në sezon dhe do përqendrohemi më tepër te menaxhimi i pasojave, sepse nuk është se kemi kohë sot të flasim për shkakun, për parandalimin e përmbytjeve”, theksoi Ministri.

Ai vijoi më tej duke thënë se duhet të ketë ndërveprim paralel mes institucioneve përgjegjëse në mënyrë të tillë, “për të reduktuar riskun më afatgjatë përmes investimeve dhe punës së koordinuar”.

Ndërkaq solli në vëmendje se, “sistemi i ringritur ose i rishikuar sot për sot është një Agjenci Kombëtare e Mbrojtjes Civile”.

Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Nga ana tjetër Ministri falënderoi punën e kryer gjatë periudhës së verës me zjarret, por edhe në rastet e përmbytjeve dhe vuri theksin në një koordinim më të mirë mes bashkive dhe institucioneve qendrore.

“Duhet të kemi një reagim të hershëm, duke vënë në funksion edhe komunitetin, i cili duhet të ndërgjegjësohet për të lajmëruar në mënyrë që të parandalojmë sa më shpejt emergjencën”, iu drejtua ai krerëve të bashkive.

Kjo e fundit pasi, sipas Peleshit, Forcat e Armatosura së bashku me të gjitha mjetet në dispozicion “mund të mos mjaftojnë”.

Në përfundim ai tha se do të ketë dhe një fond prej 800 milionë lekësh për investimet në fushën e mbrojtjes dhe parandalimit të emergjencave civile. Ky i fundit do t’u transferohet bashkive për projekte.

Në takimin e zhvilluar përveç krerëve dhe prefektëve të qarqeve ishte dhe Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore