Shqipëria

Pedagogët i bëjnë thirrje qeverisë të plotësojë kërkesat e tyre


Në mbylljen e ditës së katërt të protestës, pedagogët vijuan me thirrjet drejtuar qeverisë shqiptare për plotësimin e kërkesave të tyre.

Të pozicionuar përpara Korpusit Universitar, ata deklaruan të enjten e 20 tetorit se kërkesat e tyre janë jo vetëm legjitime, por edhe të vonuara në kohë.

“Ne gjeneratat e pedagogëve të rinj mbështesim peticionin. Kërkesat janë jo vetëm legjitime, por edhe të vonuara. Sistemi lëngon sepse financimet për arsimin shkurtohen”, deklaroi një pedagog i Arteve digjitale.

Sipas tij, ky zhanër nuk ka literaturë në Shqipëri.

Ai solli në vëmendje gjatë fjalës së tij se gjysmën e rrogës e shpenzon çdo muaj për literaturë.

“Jemi këtu për gjërat që meritojmë dhe na mohohen”, shtoi pedagogu i Arteve.

Njëri prej pedagogëve i kujtoi kryeministrit shqiptar se e mbështeste protestën e tyre, kur ishte në opozitë në vitin 2004.

“Dua të theksoj se greva e vitit 2004 u mbështet nga kryeministri i sotëm, por u tregua burrë një kryeministër tjetër duke dyfishuar pagat. Ndërsa sot nuk e mbështet protestën, dhe i bëj thirrje që të bëhet një çerek burri për të plotësuar kërkesa tona minimale”, theksoi ai.

Kreu i sindikatës së pedagogëve, Aleksandër Kovaçi, deklaroi se protesta duhet të vazhdojë që universiteti të mos shkojë drejt greminës.

“Situata aktuale është që gjendja e universiteteve me këtë lloj financimi të kërkimit shkencor, me këtë lloj nënvlerësimi të këtij sektori nga qeveritë, përfshirë rëndimin e kësaj situatë me qeverinë aktuale, këtu do përfundojë, me universitete që bien gjithnjë e më poshtë”, u shpreh Kovaçi.

Sipas tij, synimi i pedagogëve është të ndryshojnë sistemin e tyre.

Sakaq, ai i bëri thirrje rektorëve që të mbështesin protestën dhe të thërrasin Konferencën e Rektorëve.

“I bëj tirrje rektorëve të universiteteve publike, kishte përmirësim herën e fundit në diskutime, por mbani qëndrim për këtë protestë. Ky është shansi i fundit për të bërë një ndryshim në arsim. Mblidhni konferencën e Rektorëve, mbani qëndrim”, ravijëzoi kreu i sindikatës së pedagogëve.

Çfarë kërkojnë pedagogët?

Pedagogët kërkojnë rritje 50 për qind të pagave bazë sipas titujve shkencorë në dy faza, vlerësime për vjetërsinë në punë mbi 15 vjet dhe për orët e mbingarkesës shtesë në mësimdhënie, rritje të financimit për kërkimin shkencor, rivlerësim të orës mësimore leksion e seminar, rishikim të tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës shtesë, si dhe transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.

Me rritjen prej 7 për qind, paga bruto e një lektori nga 90 mijë lekë bëhet 96 mijë lekë, e asistent lektorë nga 73 mijë shkon në 78 mijë lekë, ndërsa paga e një pedagogu me titullin profesor nga 121 mijë në 129 mijë lekë në muaj.

Protestuesit i kanë dërguar qeverisë një peticion me 9 kërkesa një muaj më parë, të nënshkruar nga mbi 85 për qind e pedagogëve në Tiranë e rrethe.

Ata thonë se ato janë të njëjtat kërkesa që qeveria socialiste i ka mbi tryezë qysh nga viti 2019, dhe nuk i plotëson, ndërsa gjendja e tyre sa vjen e rëndohet, aq sa aktualisht ata paguhen vetëm 5 euro për një orë leksioni dhe pagat e tyre dhe fondet për kërkim shkencor janë shumë më të ulëta në krahasim me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe pakrahasimisht të ulëta me vendet e Bashkimit Evropian.

Qeveria nxiti universitetet që, falë autonomisë së tyre, të shtojnë të ardhurat dhe fondet e tyre përmes projekteve dhe aplikimeve ndërkombëtare, duke përfituar më shumë para përmes punës së tyre konkrete shkencore.

Autoritetet shqiptare miratuan javën e kaluar një rritje prej 7 për qind të pagave në universitete dhe u krijoi mundësinë ligjore për një rritje të mëtejshme prej 8 për qind nga të ardhurat e tyre.

Rama: Nuk do ketë asnjë Veting për pedagogët, rritja e pagave me radhë të natyrshme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore