Shqipëria

Rama: Nuk do ketë asnjë Veting për pedagogët, rritja e pagave me radhë të natyrshme


edi rama AP

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se nuk do të ketë asnjë të ashtuquajtur Veting për pedagogët.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i qeverisë, duke cituar statusin e tij në median sociale “Twitter”.

“Mediat e angazhuara masivisht për ta paraqitur si masive protestën e një pakice pedagogësh, nën udhëheqjen e nongratave e të shiksave të tyre, flasin për gjoja një Veting që do bëka regjimi imagjinar për pedagogët! Asnjë Veting as do bëhet, as është thënë e as është e menduar!”, theksoi fillimisht Rama.

Sipas tij, rritja e mëtejshme e pagave, nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme.

Kjo, pas pensionistëve në fund të vitit dhe pas daljes nga sezoni i dimrit.

Gjatë kësaj kohe, shtoi kryeministri, do të bëhen bilancet e kostove të mburojës së energjisë elektrike, edhe për familjet e pedagogëve që mbrohen nga qeveria.

Sindikata e pedagogëve paralajmëroi më herët për mbajtjen e një proteste kombëtare të enjten e 20 tetorit.

Protesta do të nisë në orën 11:00, në formën e bojkotit total, përpara Godinës se Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik.

“Le të jemi nesër (sot) të gjithë bashkë në këtë hapësirë akademike. Vetëm qëndresa dhe uniteti ynë i përbashkët i shoqëruar me argumentet e pakundërshtueshme të peticionit tonë do të bëjnë të mundur arritjen e qëllimit që i kemi vendosur vetes”, vërejti sindikata shqiptare.

Në një deklaratë për mediat kreu i kësaj sindikate, Aleksandër Kovaçi, por dhe anëtarë të tjerë të saj, shtuan se ka pasur kërcënime nga rektorët.

Sipas Kovaçit, nuk mundet të shkarkohen nga detyra pedagogët, se pse protestojnë. Kjo pasi sipas tij, i mbron ligji.

Çfarë kërkojnë pedagogët?

Pedagogët kërkojnë rritje 50 për qind të pagave bazë sipas titujve shkencorë në dy faza, vlerësime për vjetërsinë në punë mbi 15 vjet dhe për orët e mbingarkesës shtesë në mësimdhënie, rritje të financimit për kërkimin shkencor, rivlerësim të orës mësimore leksion e seminar, rishikim të tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës shtesë, si dhe transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.

Me rritjen prej 7 për qind, paga bruto e një lektori nga 90 mijë lekë bëhet 96 mijë lekë, e asistent lektorë nga 73 mijë shkon në 78 mijë lekë, ndërsa paga e një pedagogu me titullin profesor nga 121 mijë në 129 mijë lekë në muaj.

Protestuesit i kanë dërguar qeverisë një peticion me 9 kërkesa një muaj më parë, të nënshkruar nga mbi 85 për qind e pedagogëve në Tiranë e rrethe.

Ata thonë se ato janë të njëjtat kërkesa që qeveria socialiste i ka mbi tryezë qysh nga viti 2019, dhe nuk i plotëson, ndërsa gjendja e tyre sa vjen e rëndohet, aq sa aktualisht ata paguhen vetëm 5 euro për një orë leksioni dhe pagat e tyre dhe fondet për kërkim shkencor janë shumë më të ulëta në krahasim me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe pakrahasimisht të ulëta me vendet e Bashkimit Evropian.

Qeveria nxiti universitetet që, falë autonomisë së tyre, të shtojnë të ardhurat dhe fondet e tyre përmes projekteve dhe aplikimeve ndërkombëtare, duke përfituar më shumë para përmes punës së tyre konkrete shkencore.

Autoritetet shqiptare miratuan javën e kaluar një rritje prej 7 për qind të pagave në universitete dhe u krijoi mundësinë ligjore për një rritje të mëtejshme prej 8 për qind nga të ardhurat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore