Kosova

“FAZ”: Kurti argumentoi se s’mund t’ua imponojë serbëve draft-statutin e QUINT-it


Albin Kurti

Michael Martens, gazetar i prestigjozes “Frankfurter Allgemeine Zeitung” tregoi se gjatë një takimi në Berlin të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se s’mund t’ua imponojë serbëve draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të hartuar nga QUINT-i sepse kjo përbën shkelje të parimeve të Këshillit të Evropës dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës mund të sigurojë kornizën ligjore dhe të mbështesë themelimin e një asociacioni të komunave nëpërmjet vullnetit të mirë, por nuk mund ta imponojë – shtysa për këtë do të duhej të vinte nga niveli lokal, pra nga vetë komunat”, theksoi kreu i ekzekutivit kosovar, ashtu sikurse e citoi Martens, i cili mori pjesë në takimin që u mbajt më 25 prill në Berlin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe – duan lëvizje reale drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e një draft-statuti për këtë mekanizëm në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përpara se ministrat në Këshillin e Evropës të bien dakord për pranimin potencial të Kosovës.

Por gazetari gjerman shprehet i habitur që deri tani asnjë përfaqësues politik i serbëve të Kosovës nuk e ka komentuar zyrtarisht draft-statutin e propozuar nga QUINT-i për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Madje, ai shtoi se serbët e Kosovës nën presionin e presidentit të Serbisë, nuk ndërmarrin asnjë inciativë dhe ankohen për mungesën e asociacionit.

“Në katër komunat e dominuara nga serbët në veri të Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë, aktualisht nuk ka as kryetarë të zgjedhur serbë. Arsyeja: popullsia serbe i bojkotoi zgjedhjet lokale në veri pas urdhrit të Serbisë. Me dorën e majtë Kosovës i vihen kushte, ndërsa e djathta siguron që kushtet të mos plotësohen”, shkroi mes tjerash Martens.

E për të përmbushur kërkesën e QUINT-it që draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, gazetari gjerman zbuloi gjithashtu se në kryeqytetin gjerman pati diskutime nëse dokumenti për këtë pajisje vetëmenaxhuese për serbët mund t’i dërgohet edhe ekspertëve kushtetues në Këshillin e Evropës.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme evropiane, ndërsa lëvizjet reale politike pritet të nisin në prag të takimit të Komitetit të Ministrave të Jashtëm – organi vendimmarrës i organizatës – në mes të muajit maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore