Lajme

PDK-ja inicion ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronë: Rritja e barrës tatimore po i varfëron qytetarët


Arben Mustafa

Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media të mërkurën ka bërë të ditur se ka iniciuar në Kuvendin e Kosovës ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Koordinatori i Departamentit për Financa nga radhët e PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se kjo nismë është ndërmarrë pas dyfishimit të faturave të tatimit në pronë për vitin 2023 për pjesën më të madhe të qytetarëve të Kosovës.

“Kjo rritje e barrës tatimore erdhi në kohën kur mirëqenia e qytetarëve u rëndua së tepërmi për shkak të rritjes së çmimeve. Pra, në kushtet kur norma e rritjes së çmimeve arriti nivele të papara në historinë e re të Kosovës, ndërsa të ardhurat e qytetarëve mbetën përgjithësisht të pandryshuara dhe shumë familje rrezikojnë të lëvizin drejt pragut të varfërisë, është absolutisht e papranueshme që qytetarët të rëndohen edhe më shumë nga rritja e tatimit në pronë”, theksoi ai.

Përmes këtij projektligji PDK-ja ka propozuar pezullimin për një vit të vlerësimit të pronave që është bërë në vitin 2022 nga ana e Ministrisë së Financave në mënyrë që tatimi në pronë të mos rritet në këtë kohë të gjendjes së rënduar ekonomike.

“Ky ndryshim dhe plotësim i ligjit për tatimin në pronë e paluajtshme do të mundësojë aplikimin e vlerësimeve të pronave dhe faturave tatimore që kanë qenë deri në vitin 2022. Gjithashtu është propozuar që Ministria e Financave të organizojë një proces të ri të vlerësimit të pronave të paluajtshme”

Vlerësimi i ri i pronave, sipas Mustafës, duhet të mbështetet në një proces profesional dhe transparent ku qytetarët dhe komunat do të kenë të qarta metodologjinë dhe kriteret në bazë të të cilave është vlerësuar prona.

“Po ashtu përmes kësaj nisme ligjore kemi propozuar që Ministria e Financave të propozojë amendamentit e nevojshme ligjore për të ndryshuar pragun e poshtme prej 0.15 për qind në mënyrë që komunave tu jepet më shumë fleksibilitet për t’i përshtatur normat e tatimit në pronë duke pasur parasysh rrethanat ekonomike”.

PDK-ja ka ftuar të gjitha deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mbështesin këtë Projektligj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore