Lajme

PDK ankohet në Kushtetuese për Ligjin e Këshillit Prokurorial


Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht shefi i grupit parlamentar nga radhët e kësaj partie, Abelard Tahiri, të premten e 1 korrikut ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, një draft-ankesë për Ligjin për Këshillin Prokurorial, i cili sipas tij cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe rrjedhimisht duhet të hetohet nga Gjykata në fjalë.

Ligji në fjalë, përveç që cenon pavarësinë e gjyqësorit, sipas Tahirit, mundëson edhe shtrirjen e ndikimit të politikës në Këshillin Prokurorial.

“Asnjëherë nuk kemi parë një tendencë kaq të qartë për ta kapur sistem prokurorial, siç ka ndodhë me miratimin e fundit të Ligjit për Këshillin Prokurorial nga mazhoranca”, është shprehur Tahiri pas dorëzimit të draftit në Gjykatën Kushtetuese.

Për Tahirin, përveç tjerash Ligji për Këshillin Prokurorial bie në ndesh me gjashtë nenet e Kushtetutës.

“Besojmë plotësisht që argumentimet të cilat i ka sjell PDK-ja pikërisht në draftin të cilën e kemi dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, konsiderojmë që është një bazë e mjaftueshme për ta nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën një ligj të tillë”.

“Në mes të dy leximeve nuk janë marrë për bazë në tërësi edhe rekomandimet e Komsionit të Venecias dhe kjo është edhe një argument shtesë, i cili e thotë qartë se ky ligj është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën”.

PDK-ja nuk është e vetmja që ka reaguar për miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Këshillin Prokurorial, në Kuvendin e Kosovës, javë më parë

Edhe vetë Këshilli Prokuroria i Kosovës, ka reaguar ndaj Ligjit i cili ka për synim rregullimin e funksionimit të këtij Këshilli.

Sipas tyre me këtë po cenohet mandati kushtetues i anëtarëve të Këshillit dhe sidomos po pamundësohet funksionalizimi i sistemit prokurorial duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore