Lajme

Pak ditë pas zgjedhjes Kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, Mandiç takon ambasadorin rus


Andrija Mandiç dhe Vladislav Maslenikov

Pak ditë pasi që u zgjodh Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiç – për të cilin pati kundërshtime brenda dhe jashtë Malit të Zi, për shkak të orientimit të tij pro Moskës – është takuar me ambasadorin e Federatës Ruse në Podgoricë, Vladislav Maslenikov.

Siç ka njoftuar zyra e kreut të kuvendit malazez, Mandiç ka thënë se popujt e Malit të Zi dhe Rusisë “i bashkon miqësia shekullore”.

Mandiç, dhe partia që ai e udhëheqë “Demokracia e Re Serbe”, por edhe koalicioni ku ai bënë pjesë “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, njihen për orientimin e tyre pro ruso-serb.

Mandiç është një kundërshtar i hapur i pavarësisë së Kosovës, madje kishte mbajtur grevë urie kur Mali i Zi e kishte njohur shtetin e Kosovës, pak muaj pas shpalljes së pavarësisë. Po ashtu, Vladimir Putin-in e Rusisë ai e konsideron si president të tij.

Në këtë drejtim, shtetet perëndimore kanë qenë kundër që këto forca politike të jenë pjesë e pushtetit të ri malazez, i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit – të fituara nga Lëvizja “Evropa Tani”.

Nga kuvendi malazez është bërë e ditur se gjatë takimit, Maslenikov e ka uruar Mandiç-in për zgjedhjen e tij në postin e kryetarit të Kuvendit.

“Ai tha se është i kënaqur me takimin e sotëm dhe i uroi Mandiç-it suksese në punën e tij të ardhshme”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër, kreu i kuvendit malazez e ka falënderuar ambasadorin rus për mesazhin e urimit dhe ka theksuar se “dy popujt tanë i bashkon miqësia shekullore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore