Lajme

“Paga dinjitoze, jo diskriminimit”, marshojnë profesionistët shëndetësorë


Protesta e sindikates se Infermierëve të Kosovës.

Sindikata e Infermierëve të Kosovës, së bashku me shoqatat e tjera kanë mbajtur protestë, me moton “Paga dinjitoze, jo diskriminimit”.

Më këtë moto, këta të fundit kanë kundërshtuar rangimin sa i përket koeficienteve në Ligjin e Pagave.

Kjo protestë ka nisur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, për të vazhduar deri në sheshin “Skënderbeu”, në të cilën është thënë se kërkesa e tyre është pagë të dinjitetshme e jo diskriminim.

Enlirat Duraku, nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës, ka thënë se pjesëmarrja me numër kaq të madh të punëtorëve shëndetësor është një indikator e zhgënjimit dhe revoltës.

“Sot e realizuam marshin me moton, “Paga dinjitoze, Jo diskriminimit”. Pjesëmarrja me numër kaq të madh e komunitetit të infermierëve është një indikatorë i një zhgënjimi dhe një revolte të skajshme të komunitetit lidhur me mënyrën e trajtimit nga institucionet shtetërore”, ka thënë Duraku.

Enlirat Duraku, nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës.

Duraku, tutje ka bërë të ditur se kanë kërkuar që duhet të u përmbahemi veprimeve sindikale, sepse mund të dëmtojmë procesin.

“Duhet të sqarohet njeri se cilin proces po mendojnë. Për çfarë procesi është fjala? A po e dëmtojnë procesin e ikjes së infermierëve nga Kosova? Po a po e dëmtojnë procesin e zhvlerësimit të devalvimit të profesionit Po. Aty është edhe qëllimi. Sot ne kemi ardhur këtu me një kërkesë të përbashkët shumë të çartë “Paga dinjitoze, Jo diskriminimit”, ka thënë tutje Duraku.

Protesta e sindikates se Infermierëve të Kosovës.

Edhe kryetari i Odës së Infermierëve, Hasan Gashi, ka deklaruar se kërkesa e tyre është që Ligji i Pagave të shkojë përpara drejt implementimit.

“Ne si Odë i kemi përkrahur të gjitha kërkesat e infermierëve, mami dhe personaleve të tjerë shëndetësorë. Dhe do t’i mbështesim të gjitha kërkesat, të cilat janë kërkesa të drejta. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë as më pak por që ligji të shkojë më tutje. Sepse ka fjalë që ne jemi ata që po e ndalim ligjin.

Gashi, ka reaguar edhe ndaj deklaratave se kjo Odë po e ndal këtë Ligj.

“Ne nuk jemi ata që e ndalim ligjin. Ne kemi dëshirë që ligji t shkojë, por të shkojë në mënyrë të barabartë. pagë e njëjte, punë të njëjta. Bëjmë apel që Ministria e shëndetësisë, Qeveria t’i ketë përballë infermierët për arsye që për tri vite kanë humb edhe jetën e vet dhe të familjarëve vetëm ta kenë një pagë të dinjitetshme”.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Zjarrfikësit në protestë.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore