Lajme

Osmani: Vuçiç akoma fle mbi varrezat masive, Serbia duhet të hapë arkivat për të zhdukurit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osamani. dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë është shprehur se solidarizohen me të gjitha familjet, teksa vazhdon të jetë plaga më e thellë dhe dhimbja më e madhe e Kosovës.

Osmani, ka potencuar se nga momenti që është arritur marrëveshja në Bruksel dhe pastaj aneksi në Ohër ka krijuar obligime të qarta për Serbinë por të cilat nuk po zbatohen.

“Përkundër kërkesës së Komisionit qeveritar të bërë qysh në fillim të qershorit të këtij viti drejtuar presidentit të Serbisë, që t’i hapë të gjitha ato arkiva në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit fatkeqësisht Serbia vazhdon të bëjë shkelje flagrante dhe vazhdon ta ripërsërit krimin e saj duke e fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ajo.

E para e shtetit, ka bërë thirrje ndaj të gjithë komunitetit ndërkombëtarë që të mendojnë për familjarët e personave të zhdukur me dhunë që vazhdojnë të jenë në pritje mbi 20 vjet.

“I bëj thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtarë, të gjithë aleatëve dhe miqve të Republikës së Kosovës do të thoja mbi të gjitha të gjithë aleatëve të të drejtave të njeriut që të mendojnë pak për motrat, vëllezërit, për prindërit, për familjarët e atyre fëmijëve të zhdukur që janë akoma në ato varreza masive në të cilat po flenë Serbia edhe 25 vjet pas luftës”.

Foto: Presidenca e Kosovës.

Teksa ka theksuar se shpresojnë për ndryshime edhe në dialog duke mos i bërë “trysni” vetëm Kosovës.

“Shpresojmë shumë që më dialogu në Bruksel, s’do të jetë një proces nëpërmjet të cilit Kosovës do t’i bëhet trysni, popullit të Kosovës do t’i bëhen padrejtësi, ndërsa fytyra e Vuçiç-it një njeriu që akoma flenë mbi varreza masive do të vazhdoj të shpërlahet padrejtësisht”.

Osmani, e pyetur nga gazetarët për zbatimin e marrëveshjes ka thënë se është dashur të zbatohet nga momenti i nënshkrimit.

“Ajo është dashur të zbatohej qysh nga momenti i nënshkrimit sepse ka krijuar obligime nga momenti i nënshkrimit. Nenet e asaj deklarate janë shumë të qarta pasi tregon se çka duhet të bëjë Serbia, duhet t’i hapë arkivat”.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se vetëm përmes gjetjes së disa trupave në Serbi, tregohet se ku duhet të kërkohen personat e zhdukur me dhunë.

“Është mungesë e drejtësisë për familjarët e gjithë popullin tonë, të cilëve Serbia ua ka zhdukur me dhunë të dashurit e tyre. Me vetë faktin që viteve të fundit në shumë lokacione në Serbi janë gjetur trupat e të dashurve tanë, tregon që harta ku bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë të zhdukurit me dhunë është Serbia”.

“Serbia është shteti ku ndodhen kriminelët që i kanë kryer këto krime”, ka thënë Konjufca, që ka shtuar se “Kosova duhet ta kryejë punën e vet që ndërkombëtarët të vetëdijesohen se Serbia duhet t’i hapë arkivat”.

Në Kosovë të mërkurën e 30 gushtit shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me Dhunë.

Më shumë se dy dekada pas luftës, mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen ende të pagjetur – shumica shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore