Lajme

Osmani uron presidentin e ri të Emirateve të Bashkuara Arabe


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka uruar për marrjen e postit të ri presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, sheikun Mohamed bin Zayed.

Osmani përmes një cicërime në rrjetin social në ‘Twitter’, ka shkruar se marrëdhëniet e Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të forcohen edhe më shumë me ardhjen e Zayed në pushtet.

“Në emër të qytetarëve të Kosovës, i uroj lartësisë së tij, sheikut Mohamed bin Zayed suksese si president i Emirateve të Bashkuara Arabe. Jam e bindur se nën lidershipin e tij, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara do të forcohen, duke u ndërtuar në marrëdhënie tashmë të shkëlqyeshme”, ka shkruar Osmani.

Sundimtari për një kohë të gjatë de fakto i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, u zgjodh president të shtunën e 14 majit, një ditë pas vdekjes së ish-udhëheqësit të vendit.

“Sheikh Mohamed u zgjodh nga Këshilli i Lartë Federal”, tha agjencia shtetërore e lajmeve ËAM.

Sipas saj, sundimtarët e shtatë sheikdomeve të Emirateve të Bashkuara Arabe morën një vendim unanim.

Kjo vjen pasi Sheikh Khalifa vdiq të premten.

I njohur gjerësisht si MBZ, Sheikh Mohamed është një nga udhëheqësit më të fuqishëm të botës arabe.

Ai është i diplomuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Britanisë, Sandhurst, ai komandon një nga ushtritë më të pajisura në rajonin e Gjirit.

Duke punuar në prapaskenë për vite me radhë si udhëheqës de fakto, Sheikh Mohammed, 61 vjeç, e transformoi ushtrinë e Emirateve të Bashkuara Arabe në një forcë të teknologjisë së lartë, e cila së bashku me pasurinë e saj të naftës dhe statusin e qendrës së biznesit, zgjeroi ndikimin e Emirateve në nivel ndërkombëtar.

Sheikh Mohammed filloi të zotëronte pushtetin në një periudhë kur gjysmëvëllai i tij Sheikh Khalifa pësoi periudha sëmundjeje, duke përfshirë një goditje në tru në 2014.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore