Lajme

Osmani në OKB: Kurti u torturua për vdekje në burgjet serbe


Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Në fund të debatit për Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Presidentja Vjosa Osmani, i ka dalë në mbrojtje kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit u akuzua nga Serbia dhe Rusia për “terror ndaj serbëve”.

“Përfaqësuesi i Rusisë dhe kryeministrja serbe folën për të ashtuquajturin ‘terror të Kurtit ndaj serbëve’. Kurti është kryeministër i Kosovës, por ishte edhe i burgosur i luftës, i trotuar deri në vdekje në burgjet serbe. Ndërsa, Presidenti i Serbisë gjatë atyre viteve ishte ministër i propagandës për Milosheviçin.

“Për të mos mjaftuar, edhe sot ata do të donin, siç e tha edhe Vuçiçi një natë më parë, që kurrë të mos e kishin lëshuar Kurtin të gjallë nga burgu. Por, prapë kryeministri i Kosovës ka zgjedhur dialogun. Njerëzit tanë kanë qenë viktima dhe ajo që kemi përjetuar shpresojmë që kjo mos t’i ndodh askujt, pa marrë parasysh prejardhjen etnike apo fetare”.

Osmani ka theksuar se Kosova ka vendosur ta themeloj Gjykatën Speciale, derisa ka shtuar se “ne nuk frikësohemi nga drejtësia.

“Për këtë arsyeje e kemi krijuar Gjykatën Speciale, sepse nuk do lejojmë që krijohen paralele me ata që kanë kryer gjenocid”, potencoi e para e shtetit kosovar.

Në fillim të mbledhjes, Osmani tha se më 24 shtator, Serbia kishte tentuar “një aneksim të veriut të Kosovës në stil të Krimesë”, por këtë sipas saj ia pamundësuan Policia të cilët e mbrojtën integritetin territorial të vendit.

“Kosova ishte cak i një akti të një agresioni nga Serbia dhe i grupeve terroriste paramilitare. Sot dua ta shfrytëzojë momentin për ta nderuar Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku i cili humbi jetën duke e mbrojtur integritetin territorial të Kosovës. Serbia deshi ta shihte Kosovën se si bëhej si Krimea, por u zu në befasi për shkak të përkushtimit të Policisë së Kosovës”, tha Osmani.

Për Osmanin, faktet janë të pamohueshme se Serbia ishte prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit, derisa ka shtuar se “grupet terroriste dhe paramilitare janë financuar, trajnuar dhe armatosur nga një burim, Republika e Serbisë”.

Osmani: Serbia e deshi Kosovën si Krimea, por u zu në befasi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore