Lajme

Osmani kritikon sistemin e drejtësisë: Dështuan në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e hapjes së “javës së viktimave të krimit”, të hënën ka folur për shtimin e rasteve të dhunimeve seksuale.

Ajo përmes fjalimit të saj ka theksuar nevojën për luftim të pakompromis ndaj këtyre krimeve.

“Gjatë muajve të kaluar vendi ynë është tronditur nga shumë histori shokuese të dhunimeve e ngacmimeve seksuale, viktimë e të cilave në disa raste ishin edhe të miturat”.

“Ndonëse vetë fakti se kanë ndodhur këto krime është mjaftueshëm i rëndë për ta alarmuar secilin prej nesh, ajo që e bëri situatën edhe më të rëndë, ishte mungesa e reagimit efektiv të institucioneve në adresim të këtyre veprave penale”, deklaroi Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo bëri thirrje për rol më proaktiv të institucioneve në parandalimin e tyre.

“Në takimet me krerët e institucioneve të drejtësisë, kam adresuar çështjen e dështimeve dhe defekteve sistematike që janë vënë në pah nga analiza dhe vlerësime që janë bërë për vite me radhë”, ka theksuar Osmani.

Teksa, kritika ka pasur edhe për “dënimet e ulëta për dhunuesit”.

I pranishëm ka qenë edhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi i cili u shpreh se si institucione mund të jenë të qetë dhe të kënaqur vetëm atëherë kur viktimat trajtohen në mënyrë të duhur.

“Gjatë 9 muajve të parë të vitit 2022, Zyra për mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ofruar ndihmë për 2163 viktima”, bëri të ditur Kelmendi.

Muajt e fundit, rastet e dhunës në Kosovë janë rritur dukshëm, për këtë arsyeje në prokuroritë rajonale është caktuar një prokuror koordinator për rastet e kësaj natyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore