Lajme

Osmani: Kosova do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa uroi Shqipërinë për 109 vjetorin e pavarësisë së saj, ka thënë se kjo datë “ka shumë peshë historike”, dhe se Kosova do të jetë gjithmonë krah Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët.

“Në 109- vjetorin e pavarësisë, uroj që Shqipëria krahas Kosovës të ketë sukses në të gjitha fushat! Kosova do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët, duke thelluar më tej lidhjet tona ndërmjet motrave e vëllezërve, sikurse edhe ato strategjike”.

“Në këtë ditë ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari dhe po në këtë ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë publikisht. Të dy këto ngjarje i japin edhe më shumë kuptim nëntorit, sepse bartin në vete frymën e lirisë, idealin e brezave që nga Skënderbeu, Ismail Qemaili, Isa Boletini e shumë patriotë të tjerë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Po ashtu, presidentja Osmani potencoi se më 28 nëntor të vitit 1912, populli shqiptar e kurorëzoi aspiratën për Shqipërinë e pavarur.

“Ky akt së bashku me ngritjen e flamurit në Vlorë janë akte të shenjta të historisë sonë të përbashkët, të cilën e ndërtuam me mund dhe sakrifica”.

28 nëntori – Dita e shqiptarisë

Kjo ditë është e veçantë edhe për një sërë detajesh të tjera me rëndësi të madhe historike dhe kombëtare.

Në mënyrë faktike, vetë data, simbolizohet nga një sërë rrethanash të paracaktuara ose jo, mbi çaste kyçe të një kombi të tërë.

Gjithçka, filloi më 28 nëntor 1443.

Ishte viti shumë i largët 1443, kur në këtë ditë të shënuar, heroi kombëtar i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti, ngriti flamurin e shqiponjës dykrenare mbi kalanë e Krujës, duke e çliruar atë nga pushtimi osman.

Plot çerek shekulli, me një ushtri të përbërë nga 10 mijë ushtarë, ai qëndroi i palëkundur ndaj forcave osmane. Kështu, duke u bërë një qëndrestar i vërtetë, i cili e mbajti larg Evropës pushtuesin Osman, deri në çastin kur vdiq, më 17 janar 1468.

Do të duhet të kalonin 469 vite, për ta ri-parë Shqipërinë sërish larg zgjedhës osmane – të lirë.

Ngritja e flamurit në Vlorë, 1912

Nëntori më i rëndësishëm për shqiptarët mbetet pa diskutim ai i vitit 1912 – edhe pse i dytë.

Nën gjurmët e historisë, duke ndjekur Skënderbeun, Ismail Qemaili, nisi rrugëtimin e tij drejt qytetit bregdetar të Vlorës, ku dhe nga ballkoni i shtëpisë së tij, ngriti flamurin – sërish me shqiponjën dy-krenare, të qëndisur nga Marigoja – dhe e shpalli Shqipërinë të pavarur nga perandoria osmane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore