Shqipëria

28 nëntori – Dita e shqiptarisë


Të thuhet se 28 nëntori është dita më e rëndësishme për çdo shqiptar, është pak, pasi përtej një 24-orëshi të veçantë që ajo simbolizon mbi pavarësinë e marrë nga Shqipëria në 1912-ën me ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali, kjo ditë është e veçantë edhe për një sërë detajesh të tjera me rëndësi të madhe historike dhe kombëtare.

Në mënyrë faktike, vetë data, simbolizohet nga një sërë rrethanash të paracaktuara ose jo, mbi çaste kyçe të një kombi të tërë.

Gjithçka, filloi më 28 nëntor 1443.

Ishte viti shumë i largët 1443, kur në këtë ditë të shënuar, heroi kombëtar i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti, ngriti flamurin e shqiponjës dykrenare mbi kalanë e Krujës, duke e çliruar atë nga pushtimi osman.

Gjergj Kastrioti me në sfond flamurin me shqiponjë dykrenare

Plot çerek shekulli, me një ushtri të përbërë nga 10 mijë ushtarë, ai qëndroi i palëkundur ndaj forcave osmane. Kështu, duke u bërë një qëndrestar i vërtetë, i cili e mbajti larg Evropës pushtuesin Osman, deri në çastin kur vdiq, më 17 janar 1468.

Do të duhet të kalonin 469 vite, për ta riparë Shqipërinë sërish larg zgjedhës osmane – të lirë.

Nëntori i dytë

Nëntori më i rëndësishëm për shqiptarët mbetet pa diskutim ai i vitit 1912 – edhe pse i dytë.

Nën gjurmët e historisë, duke ndjekur Skënderbeun, Ismail Qemali, nisi rrugëtimin e tij drejt qytetit bregdetar të Vlorës, ku dhe nga ballkoni i shtëpisë së tij, ngriti flamurin – sërish me shqiponjën dykrenare, të qëndisur nga Marigoja – dhe e shpalli Shqipërinë të pavarur nga perandoria osmane.

Ngritja e flamurit në Vlorë, 1912

Kuvendi Kombëtar i Vlorës, ishte organi i cili e shpalli mëvehtësinë. Ky akt shpalljeje, përbën një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Kjo ditë, përkujtohet si fryti i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.

Dalja nga zgjedhja pesëshekullore e osmanëve, ishte një aspekt. Por aspekti tjetër – edhe më i rëndësishëm – ishte ai i krijimit të një Shqipërie me zhvillim ekonomik. Kjo, si thirrje për daljen nga prapambetja e pushtimit.

Isa Boletini dhe Ismail Qemali

Me pushkë dhe me penë, Shqipëria ishte e pavarur dhe historia moderne e saj, do të merrte jetë.

Sakaq, një tjetër 28 nëntor me shumë rëndësi, këtë herë për kushtetutshmërinë e vendit, ishte ai i vitit 1998, kur me dekret të presidentit të asaj kohe, Rexhep Meidani, ajo u dekretua dhe hyri në fuqi, duke vendosur kështu gurthemelin e shtetit ligjor shqiptar të pas-diktaturës.

28 nëntori i Jasharit

Data, jo më kot quhet e veçantë për shqiptarinë, pasi ajo nuk njeh kufij. Përtej festës kombëtare të pavarësisë, ka edhe një sërë ngjarjesh të tjera, të cilat përkujtohen në ditën e shenjtë të flamurit.

Në këtë datë të vitit 1955, në Prekaz të Skënderajt, do të lindte edhe komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari

Në vitin 1991, Jashari mori pjesë në disa sulme kundër xhandarmërisë serbe. Më pas, ai erdhi në Shqipëri për të marrë trajnim ushtarak. Do të ishte viti 1993, kur Jashari do të rikthehej në Kosovë, nga ku edhe vijoi sulmet kundër establishmentit jugosllav.

Në korrik 1997, një gjykatë jugosllave do ta dënonte Jasharin për veprën e “terrorizmit në mungesë”.

Por, ai nuk do të mund të kapej asnjëherë nga regjimi serb.

Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari

Do të ishte viti 1998, ai kur Policia serbe, ndërmori një sulm kundrejt banesës së Jasharit. Një betejë e vërtetë u zhvillua, ku 57 familjarë të Jasharëve, përfshi Ademin, gruan, djalin dhe vëllain e tij, mbetën të vrarë.

Shtatë vjetët si komandant i UÇK-së, e kanë rrënjosur figurën e tij si një ndër më të nderuarat nga populli i Kosovës. Për lirinë e kombit, ai dha jetën.

28 nëntori i shqiptarëve të Kosovës

Vetë populli i Kosovës, e përkujton datën jo vetëm për ngritjen e flamurit në Shqipëri.

Më 1969-ën, për herë të parë në Kosovë, u lejua përdorimi i simbolit kombëtar. Pra, ai i flamurit kuqezi.

Ngritja e flamurit – për të tretën herë – do të vinte edhe jashtë kufirit faktit shqiptar, por brenda kufirit natyral.

Më 28 nëntor 1997, UÇK-ja do të paraqitej për herë të parë në skenë si entitet, për lirinë e Kosovës.

UÇK-ja del për herë të parë publikisht, 28 nëntor 1997

Me miratimin pikërisht të Adem Jasharit, në rastin e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Geci, në fshatin Llaushë, tre luftëtarë të lirisë, Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dolën publikisht të maskuar, por me uniformë të UÇK-së.

Ndërsa, një arsye tjetër, simbolike këtë herë, për të kremtuar 28 nëntorin, është ajo e ngritjes së përmendores së Skënderbeut, në vitin 2001, në Prishtinë.

Për një arsye, ose për disa, 28 nëntori është një datë, e cila e ka shoqëruar Shqipërinë në çdo etapë të historisë së saj.

Mbi këtë ditë, kultura dhe tradita e një kombi, shëmbëllejnë domethënien e tyre.

Domethënien e historisë së vjetër së një shqiponje me dy kokë, por me një trup të vetëm, atë shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore