Lajme

Osmani: Kosova dhe Portugalia afër marrëveshjes ekonomike bilaterale


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Jashtëm portugez, Augusto Santos Silva

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës disa ditore në Portugali, të premten është takuar me ministrin e Jashtëm portugez, Augusto Santos Silva, ku ka folur për arritjet e deritanishme të Kosovës.

Osmani ka treguar se Kosova është e interesuar ta finalizojë nënshkrimin e marrëveshjes së parë ekonomike bilaterale, e cila ka të bëjë me heqjen e taksimit të dyfishtë.

Sipas saj, prania e ambasadës së Kosovës në këtë shtet është në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit dhe kultivimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy popujve.

Në këtë takim, Osmani ka potencuar synimin për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, gjithashtu ka përmendur edhe reformat gjithëpërfshirëse në ekonomi.

Ndërkaq sa i përket sfidave, ajo ka theksuar se Kosova përballet me izolim, shkaku i mos-liberalizimit të vizave, duke thënë se tashmë janë plotësuar të gjitha kriteret.

Presidentja ka kërkuar mbështetjen e Portugalisë në rrugën evropiane të Kosovës, si dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, ajo ka theksuar se është një gjë që domosdoshmërish duhet të finalizohet me marrëveshje për njohje reciproke.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore