Lajme

Operacioni “Pika”, 50 zyrtarë të arrestuar, 18 të tjerë në arrati


50 zyrtarë shtetërorë, 48 prej tyre zyrtarë policorë dhe dy zyrtarë doganorë janë arrestuar këtë të hëne në kuadër të operacionit “Pika”, nga operacioni i Prokurorisë Speciale dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.

Në një konferencë për media Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se aktvendimi është marrë për gjithsej 68 persona të dyshuar për vepra penale “marrje të ryshfetit”, por disa janë në arrati pasi nuk janë shtetas të Kosovës.

“Sot janë arrestuar 50 persona ndaj të cilëve janë konfiskuar telefonat mobilë që do të na shërbejnë në procedurën penale”, tha Lumezi.

Sipas tij, “me urdhër të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale kemi angazhuar dy prokurorë për këtë rast”.

“Gjatë fazës së hetimeve kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë për të siguruar prova të mjaftueshme se po kryhen vepra penale të marrjes së ryshfetit në pika doganore”.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi

Ndërkaq drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, theksoi se hetimi ka filluar para një viti.

“Nuk është ndjenjë e mirë kur korruptohet polici. Ky hetim ka filluar para një viti. Janë arrestuar zyrtarë që janë të korruptuar”, potencoi Mehmeti.

“Siguria është në nivelin maksimal, janë zëvendësuar zyrtarët policorë dhe çdo gjë po shkon ashtu siç duhet të shkojë. Të arrestuar janë zëvendësuar me zyrtarë të tjerë policorë”, shtoi ai.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti

Ndërsa, kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit të Policisë, Kushtrim Hodaj, bëri të ditur se zyrtarët e arrestuar dyshohen për përfshirje në mbi 400 vepra kriminale në marrje të korrupsionit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Në mesin e 50 të arrestuarve janë 45 policisë, 2 togerë dhe 5 rreshterë”, pohoi Hodaj.

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit të Policisë, Kushtrim Hodaj

“Atyre iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe se të njëjtit janë suspenduar nga puna”, shtoi ai.

Ndërkaq, bashkëpunimin në operacion me Doganën e Kosovës dhe Agjencinë e Inteligjencës ka thënë se ka rezultuar i suksesshëm. Aktivitetet kriminale sipas kreut të Inspektoratit dyshohet se janë kryer “në pikat Qafë Prushë dhe Qafë Morinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore