Sport

Ofendoi shqiptarët, RTK hap procedurë disiplinore ndaj komentatorit Lokaj


Radio Televizioni i Kosovës ka hapur një procedurë disiplinore ndaj komentatorit sportiv të tyre, Andin Lokaj.

Ky i fundit bëri disa komente fyese për Shqipërinë pas ndeshjes mes Kosovës U21 dhe Shqipërisë U21, të cilën e fituan Dardanët me rezultat 2:1.

“Paramendo mos me pas fituar sonte kundër këtyre, që kur kemi luajtur na kosovarët TOP, ata në stadium veç ushtarë të tupit trunin të Enverit i kanë pas në tribuna. Harrova që edhe peshqit me turbi i patën këqyr”, ka thënë Lokaj.

Lidhur me këtë deklaratë të komentatorit kosovar, ka reaguar drejtori i televizionit publik të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati, duke thënë se do të merren masa ndaj tij.

“Lidhur me rastin e deklarimeve publike të komentatorit Andin Lokaj, RTK njofton se do të veproj në përputhje me Standardet Profesionale të RTK-se dhe Rregullores për përgjegjësitë materiale dhe disiplinore. Po ashtu ju bëj me dije se tani më kanë filluar procedurat në lidhje me këtë rast”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Shkrimi i Andinit nxiti reagime të shumta gjithandej, madje grupi i tifozëve të Prishtinës dhe kombëtares së Shqipërisë, “Plisat” e shpallën person të padëshiruar.

“Andin Lokaj sot pas ndeshjes Kosovë – Shqipëri ka lëshuar disa deklarata të cilat janë të papranueshme dhe gjithsesi të pa tolerueshme. Askush nuk mundet dhe nuk guxon të krijojë përçarje, kjo deklaratë e komentatorit të sotëm duhet të dënohet fuqimisht, përndryshe përgjegjësia nuk mbetet tek ne”, thuhet në deklaratën e Plisave në Facebook.

Sa i përket ndeshjes, shpresat e Kosovës mposhtën në stadiumin “Fadil Vokrri” ato të Shqipërisë me rezultat 2:1, në ndeshjen e vlefshme kualifikuese të Kampionatit Evropian për grupmoshat U21.

Bernard Karrica fillimisht kaloi kuqezinjtë në epërsi në minutën e 58-të, pastaj tetë minuta më vonë, Erolind Krasniqi barazoi rezultatin, ndërsa në minutat shtesë të ndeshjes, Arlind Sejdiu shënoi gol, për rezultatin përfundimtar 2:1.

Kjo ishte fitorja e dytë e Kosovës, në pesë ndeshje të zhvilluar, e cila e pozicionon në vendin e parafundit të Grupit G, me gjashtë pikë të grumbulluara.

Derisa Shqipëria ngel në vendin e tretë në grup, me nëntë pikë nga gjashtë ndeshje, katër më pak se lideri Republika e Çekisë dhe një më pak se vendi i dytë, Anglia, që kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara se Shqipëria.

Kujtojmë që fituesi i grupit shkon direkt në “Euro 2023”, ndërsa vendi i dytë kualifikimin duhet ta kërkojë përmes ndeshjeve në play-off.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore