Zgjedhjet në Kosovë

“Numërimi të reflektojë procesin e deritanishëm të votimit”


Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim.

Procesi i votimit të dielën e 17 tetorit është zhvilluar në mënyrë të qetë, me pjesëmarrje të qytetarëve që garanton legjitimitet të procesit.

Në konferencën e “Demokracia në Veprim” është bërë e ditur se nuk është raportuar për ndonjë incident që do të mund t’a cenonte integritetin apo kredibilitetin e zgjedhjeve.

Eugen Cakolli tha se në përmbyllje të procesit të votimit, nuk është evidentuar ndonjë fluks i votuesve duke pritur në radhë për të votuar dhe nuk është raportuar për ndërprerje të procesit të votimit për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

“Në rast të izoluara, posaçërisht në zonat rurale, janë vërejtur persona të paautorizuar në hyrje apo afërsi të qendrave të votimit, që mund të shihen si ushtrim i presionit ndaj votuesve. Në këto zona, po ashtu është vërejtur nivel më i ulët i respektimit të masave3 anti-COVID, si nga votuesit ashtu edhe nga stafi zgjedhor”, u shpreh Cakolli.

Ai shtoi se, “megjithatë, edhe pse në pjesën e parë të ditës qytetarë dhe komisionarët ishin më të disiplinuar në respektimin e masave, gjatë gjysmës së dytë të ditës ka pasur rënie të nivelit të respektimit të këtyre masave. Gjatë procesit të votimit janë evidentuar raste të shumta të votimit me dokumente me afat të skaduar”.

Shkak i kësaj, thuhet të jetë rezultat i vendimit të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe KQZ-së për lejimin e votimit me dokumente të skaduara.

Po ashtu, votimi me asistencë edhe në këtë proces ishte një prej fenomeneve më të shprehura, pothuajse në secilin vendvotim në nivel vendi.

“Në mbi 50% të vendvotimeve numri i rasteve të votimit me asistencë sillet nga 10 deri në 50 raste. Kurse, nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është regjistruar fare, edhe kur janë parë votues të grupmoshave të reja të cilëve u është ofruar asistencë”.

Një problematikë e cila është shfaqur gjatë zgjedhjeve është vështirësia për të gjetur emrin ne listën e Votuesve.

Sipas Cakollit “Kjo mund të ketë ardhur edhe si pasojë e shtimit të numrit të qendrave dhe vendvotimeve nëpër komuna të caktuara”.

“Vlen të theksohet se në këtë proces zgjedhor rastet e fotografimit të votës kanë shënuar rënie të ndjeshme, krahasuar me proceset paraprake zgjedhore, ku ky fenomen ka qenë shumë i shprehur”.

DnV ka bërë thirrje për kujdes dhe vëmendje të shtuar nga ana e stafit zgjedhor në këtë proces, sidomos duke ditur që kjo fazë ka qenë ndër hallkat më të ndjeshme të proceseve të kaluara.

“Gjithashtu, kërkojmë edhe nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre që të përmbahen nga deklaratat apo festimet deri në shpalljen e rezultateve preliminare nga KQZ-ja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore