Shqipëria

Një shqiptar në “Photomenta”


Adrian Paci po merr pjesë në ekspozitën “e shkrirë” mes rrymave e zhanreve në Izrael të titulluar “Photomenta”.

Artisti me origjinë shqiptare është një emër i sprovuar në sferën ndërkombëtare të vepërzimit – që nga Bienalja e Venecias e deri tek rezidenca artistike në New York.

Muzeu Eretz – një nga tre muzetë më të mëdhenj në Izrael – po organizon pas ofensivës pandemike, cirkuit fotografish që në vetvete përmbajnë shumë më shumë se vetëm fragmente.

“Photomenta”, sipas organizatorëve, i referohet një sërë bashkërendimesh: fotografisë, hartografisë, monumenteve, dokumentacionit, momenteve, mitologjisë dhe Mesdheut.

E pikërisht, frymën mesdhetare të Shqipërisë – e këputur edhe mes Italisë – do e përfaqësojë Paci me përfytyrimin e tij.

Photomenta

Ekspozita do të jetë e hapur për një vit si pjesë e sezonit ndërkombëtar të muzeut 2021-2022.

Photomenta, shpjegon deklarata e muzeut, shërben si një “urë që shtrihet jashtë shtetit dhe njerëzve, kufijve dhe konflikteve politike”.

Fotografitë e shfaqura ofrojnë “një pikë takimi mendor, artistik dhe narrativ me ‘të tjerët’ në afërsinë tonë”.

Në ekspozitë ka fotografë nga shtete si Turqia, Greqia, Qiproja, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Italia, Franca, Spanja, Maroku, Algjeria, Tunizia, Malta, Izraeli dhe Autoriteti Palestinez.

Sipas organizatorëve, ekspozita Photomenta do të zhvillohet çdo pesë vjet “për të lejuar një zgjedhje të saktë të lëndës dhe kërkime të thelluara”.

Ideja bazë për Photomenta-n lindi “shumë vite më parë” si një ekspozitë fotografike për të lidhur fotografë nga vendet e Mesdheut.

Adrian Paci

Shumë nga veprat e Adrian Pacit kanë eksploruar ndjenjën e veçantë të zhvendosjes dhe mungesës së rrënjëve që karakterizon përvojën e emigrantëve, duke pasqyruar historinë e tij personale si një refugjat që u largua nga vendlindja e tij për në Itali në vitin 1997.

Puna e tij trajton shpesh tema të ndarjes gjeografike, nostalgjisë dhe kujtesës, dhe përcjell një ndjenjë të mprehtë të ndryshueshmërisë së jetës dhe artit.

Paci është i njohur kryesisht për punën e tij në performancë dhe video, megjithëse ai eksploron tema të ngjashme në pikturë, fotografi dhe skulpturë.

Ndërsa puna e tij përqendrohet në identitetin e tij dhe historinë personale, megjithatë ajo angazhon në mënyrë aktive audiencën e saj, duke sfiduar perceptimet e kufizuara të shikuesve për realitetin.

Në vitin 1999 Paci ishte ndër artistët e parë shqiptarë që përfaqësoi vendin në Bienalen e Venecias. Në vitin 2004 ai ishte një artist rezident në Apexart në New York.

Ekspozita e tij e parë e madhe solo u zhvillua një vit më pas në MoMA PS1 në New York.

Po atë vit, ai pati një ekspozitë personale në Moderna Museet në Stokholm dhe puna e tij u shfaq përsëri në Bienalen e Venecias.

Në vitin 2009 puna e tij u shfaq në ekspozitën “The Storytellers” në Muzeun Folkwang në Essen të Gjermanisë.

Që nga viti 2003 ai ka qenë lektor i arteve pamore në Accademia Carrara di Belle Arti në Bergamo dhe Università IUAV në Venecia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore