Lajme

Kurti dhe Vuçiç takohen në Bruksel


Fotografia e shkrepur gjatë takimit në mes të Borrell-Kurti-Vuçiq

Paraditen e së martës ka nisur në Bruksel takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE).

Takimi në fjalë është i pari që zhvillohet mes Kurtit dhe Vuçiçit për dialogun Kosovë – Serbi.

Para takimit trepalësh, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesit i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë takuar veç e veç të dy përfaqësuesit shtetërorë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, gjatë takimit të ditës së martë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, gjatë takimit të ditës së martë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi

Albin Kurti, në Bruksel ka udhëtuar me zëvendëskryeministrin e vendit, Besnik Bislimi.

Ndërkohë në seancën plenare të 11 qershorit në Kuvendin e Kosovës, Kurti pati pohuar se mungesa e afateve kohore e ka dëmtuar procesin e dialogut.

“Ne jemi vend i pavarur, koha që kalon duhet ta ndryshojë realitetin në Serbi e t’i pranojnë krimet që kanë bërë në Kosovë. Pse të ngutemi, kur e kemi shpallur pavarësinë, askush nuk e ka menduar njohjen nga Serbia”.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, nga Brukseli pati deklaruar se “pozicioni i Serbisë është i vështirë, por nuk ka forcë që do të na detyrojë të bëjmë diçka kundër interesave tona kombëtare”.

Para fillimit të takimit Kurti – Vuçiç, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, ka thënë se këto bisedime nuk janë të lehta, por janë të domosdoshme për të ardhmen e të dy vendeve.

Ndërsa për zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu, gjatë takimit Kurti – Vuçiç, kryeministri i Kosovës do të paraqesë “vizionin dhe qëndrimet e tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, për një dialog që “duhet të jetë parimor dhe i drejtë, në shërbim të popujve të të dy vendeve dhe i shkëputur nga ai i kaluari”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore