Shqipëria

Nikolla letër Krajës, i hapet rruga arrestimit të Bllakos


Prokuroria e Posaçme SPAK e ka rrugën e hapur për të kërkuar arrestimin e ish-deputetit Alqi Bllako, pasi ky i fundit ka hequr dorë nga mandati i deputetit, si pasojë e akuzave të ngritura ndaj tij se është i përfshirë në vepra korruptive për çështjen e njohur si “Inceneratorët”.

Në një letër të dërguar kreut të SPAK-ut Arben Kraja, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, argumenton se rruga ligjore është e hapur që Bllako të arrestohet nga organet kompetente me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

Kërkesa për heqje dorë nga mandati, i është dorëzuar më herët Kuvendit nga ana e Bllakos dhe është protokolluar nga institucioni.

Ndaj, zyrtarisht, Alqi Bllako, nuk është më deputet i Parlamentit të Shqipërisë dhe rrjedhimisht, nuk mund të gëzojë imunitet.

Në shkresën e dërguar, Nikolla po ashtu shpjegon edhe procedurën e anuluar të mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, e cila ishte projektuar të zhvillohej ditën e sotme në orën 18:00.

Për shkak se vetë Bllako ka hequr dorë nga mandati, mbledhja sipas arsyetimit të kryeparlamentares, nuk ka qenë më e nevojshme për t’u zhvilluar.

Këtë vendim, e kanë kundërshtuar disa deputetë nga radhët e Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar gjithsesi kryerjen e mbledhjes. Mirëpo, kjo kërkesë nuk është pranuar nga strukturat e Kuvendit.

Tashmë, pritet vetëm arrestimi i Bllakos me kërkesën e SPAK.

Kërkesa

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar më 29 mars, autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për arrestimin e deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako.

“Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal ‘arrest në burg’”, lexohej në deklaratën zyrtare për shtyp.

Në njoftimin e publikuar nga SPAK lidhur me nëntë urdhër arrestet, hetimet kanë zbuluar se Bllako, në rolin e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Mjedisit, ka kryer veprime të kundërligjshme në lidhje me procedurat e shpronësimit të pronës, ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit.

Kjo, në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar sakaq se Bllako ka favorizuar shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes “në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt” në shumën prej 14 milionë e 964 mijë e 900 lekësh.

SPAK ka caktuar masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit E. B., lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 metër katror, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144 mijë e 246 euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14 milionë e 964 mijë e 900 lekësh.

Dëshmia

Deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, ka qenë dëshmitar i thirrur në Komisionin Hetimor lidhur me aferën e inceneratorëve.

Në fjalën e tij, ai theksonte se e kishte dhënë deklaratën e tij për rreth pesë orë në Prokurorinë e Posaçme.

Për këtë arsye, Bllako do të shprehej se nuk mund të dëshmonte në Komision, pasi do të ishte nxjerrje sekreti hetimor.

Në SPAK, ai do të pyetej për rolin e tij si ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.

Kujtojmë që në këtë periudhë janë miratuar edhe lejet për inceneratorët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore