Lajme

Ngrihet padi kundër firmës amerikane përgjegjëse për shpërthimin në Beirut


Për viktimat e shpërthimit vdekjeprurës të portit të Libanit në vitin 2020 është ngritur një padi çerek miliardë dollarëshe kundër një firme amerikane.

Kjo, për lidhjet e saj të dyshuara me tragjedinë, të paktën kështu ka bërë me dije një fondacion zviceran që ndihmon paditësit.

Nëntë paditësit janë të gjithë shtetas amerikanë dhe përfshijnë Sarah Copland, nëna e dyvjeçarit Isaac Copland, një nga viktimat e shpërthimit.

I përshkruar si një nga shpërthimet më të mëdha jo-bërthamore në historinë e fundit, ai vrau më shumë se 200 njerëz, plagosi mijëra të tjerë dhe shkatërroi lagje të tëra.

Shpërthimi kataklizmik ndodhi kur ajo që kishte mbetur nga stoku prej 2 mijë e 750 ton i nitratit të amonit të ruajtur në port për shtatë vjet mori flakë.

Por mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Familjarët e viktimave duan që zyrtarët, neglizhenca dhe korrupsioni i të cilëve lejuan që materiali i rrezikshëm të mbetet i ruajtur keq për vite me radhë, të përballen me drejtësinë.

Accountability Now ka deklaruar se pretendimi ishte paraqitur këtë javë në Texas kundër grupit të shërbimeve gjeofizike amerikano-norvegjeze TGS.

Kompania zotëron firmën britanike Spectrum Geo, e cila një dekadë më parë mori me qira anijen Rhosus që mbante nitratin e amonit që u shkarkua më pas në portin e Bejrutit dhe shpërtheu më 4 gusht 2020.

Referuar Accountability Now, Spectrum kishte lidhur një sërë kontratash shumë fitimprurëse, por të dyshimta me ministrinë e Energjisë së Libanit për të transportuar pajisje të vëzhgimit sizmik nga Libani, gjoja në Jordani, në bordin e Rhosus.

Hetimi libanez për shpërthimin është përballur me pengesa politike sistematike dhe flagrante që nga dita e parë.

Ai është shtyrë prej muajsh si rezultat i padive të ngritura kundër tyre nga ish-ministrat dhe anëtarë të afërt me partitë, duke përfshirë kryetarin e parlamentit Nabih Berri dhe ish-ministrin Suleiman Franjieh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore