Lajme

“Nëse kërkuam informacion për gazsjellësin, s’do të thotë se e refuzuam”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke hedhur poshtë akuzat se “po dëmtohen marrëdhëniet” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me anulimin e projektit të gazsjellësit, ka thënë se aludimet e shumta nuk kanë të bëjnë me refuzim, derisa pohoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

“Nuk janë të vërteta akuzat, ne jemi në kontakt me MCC, gjithashtu jemi duke diskutuar se si është më së miri në këtë fazë të përdorim fondet të cilat do të na ndihmojnë për politikat tona energjetike”, ka thënë Kurti për EO.

“Pra nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar por do të thotë që jemi të përgjegjshëm, fondet amerikane janë të mirëseardhura e të dëshiruara, por edhe do të shfrytëzohen nga Qeveria jonë”, shtoi ai.

Ilustrim

Sipas kryeministrit Kurti, Qeveria e cila udhëhiqet nga ai, është duke u angazhuar për reciprocitet të plotë, në mënyrë që të ketë drejtësi karshi raporteve të Kosovës me Serbinë.

“Reciprocitetin nuk e kem për hakmarrje, por konsiderojmë që është parim i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kosova dhe Serbia nuk mund të kenë marrëdhënie të pabarabartë asimetrike, andaj si shtet i pavarur, si Qeveri do të angazhohemi që në vijim të kemi reciprocitet të plotë që do të vinte drejtësi në vend sa i përket raporteve tona, e në kuadër të këtij reciprociteti në qendër të jetë edhe njohja reciproke, pra dita kur Serbia e njeh Kosovën”.

Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes në Samitin e Sllovenisë, ai ka theksuar se është i interesuar për marrëveshje ku Kosova trajtohet e barabartë e prej të cilave përfitojnë qytetarët.

“Është interesante që shtetet që janë në NATO, të Ballkanit Perëndimor e njohin Kosovën, pra për marrëveshjet ku ne trajtohemi të barabartë dhe i ndihmojnë qytetarët padyshim që jemi të gatshëm, edhe sa i përket diplomave e kualifikimeve, padyshim që jemi të interesuar”, potencoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e ardhshme do të marrë pjesë në Samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në Slloveni.

Këtë ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, përmes një përgjigje me shkrim.

Sipas tij, ekzekutivi veçse ka shprehur gatishmërinë për arritjen e dy marrëveshjeve.

“Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që kësaj radhe do të mbahet në Slloveni. Në mbështesim bashkëpunim rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Tashmë kemi shprehur gatishmërinë tonë për arritjen e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me ID karta dhe njohjen e diplomave, por gjithmonë mbi bazën e trajtimit të barabartë në mes vendeve nënshkruese dhe qytetarëve të saj”, tha Kryeziu.

Në këtë samit pritet takim pritet të marrin pjesë liderët e gjashtë vendeve të rajonit: Bosnja-Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, (MV), Serbia dhe Shqipëria, ashtu edhe përfaqësuesit e institucioneve më të larta në Bashkimin Evropian.

Foto e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Tiranës

Ndryshe më 10 qershor të këtij viti në Tiranë u mbajt Samiti i Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore