Lajme

E konfirmon Qeveria për Albanian Post: Kurti javën e ardhshme pjesëmarrës në Samitin e Sllovenisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e ardhshme do të marrë pjesë në Samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në Slloveni.

Këtë ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, përmes një përgjigje me shkrim.

Sipas tij, ekzekutivi veçse ka shprehur gatishmërinë për arritjen e dy marrëveshjeve.

“Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që kësaj radhe do të mbahet në Slloveni. Në mbështesim bashkëpunim rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Tashmë kemi shprehur gatishmërinë tonë për arritjen e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me ID karta dhe njohjen e diplomave, por gjithmonë mbi bazën e trajtimit të barabartë në mes vendeve nënshkruese dhe qytetarëve të saj”, tha Kryeziu.

Në këtë samit pritet takim pritet të marrin pjesë liderët e gjashtë vendeve të rajonit: Bosnja-Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, (MV), Serbia dhe Shqipëria, ashtu edhe përfaqësuesit e institucioneve më të larta në Bashkimin Evropian.

Ndryshe më 10 qershor të këtij viti në Tiranë u mbajt Samiti i Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Foto e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Tiranës

Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014.

Ai ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.

Procesi konsiderohet edhe si “paradhomë e BE-së”. Pas Gjermanisë, si nismëtare, organizatorë të samitit kanë qenë deri tani: Austria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Polonia dhe Bullgari/Maqedonia.

Një nga arritjet e deritanishme të procesit të Berlinit është miratimi i planit për tregun e përbashkët rajonal dhe afrimi i të rinjve nëpërmjet rrjetit RYCO (Regional Youth Cooperation Office).

Megjithatë, konfliktet e pazgjidhura ndërmjet shteteve në rajon kanë qenë pengesë e vazhdueshme për funksionimin si duhet të nismave të dala nga Procesi i Berlinit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore